Makthi i anijeve në Hormuz: 20 të vdekur në 68 “incidente” në gjashtë muajt e luftës
Ngushtica strategjike e Hormuzit është kthyer në një nga pikat më të rrezikshme detare gjatë konfliktit gjashtëmujor mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, me dhjetëra anije tregtare të përfshira në incidente dhe sulme.
Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), janë konfirmuar gjithsej 68 incidente në Gjirin Persik, Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik, mesatarisht një incident çdo 2.5 ditë. Bilanci është i rëndë: të paktën 20 detarë ose punonjës portesh janë vrarë, 35 janë plagosur dhe një person rezulton i zhdukur.
Pothuajse gjysma e anijeve të goditura kanë qenë cisterna nafte, ndërsa rreth 20% kanë qenë anije konteinerësh dhe 15% transportues të mallrave të mëdha. Zyra Britanike e Informacionit për Sigurinë Detare (UKMTO) i ka klasifikuar 47 prej këtyre rasteve si “sulme”.
Sa i përket flamurit, anijet liberiane kanë qenë më të prekura, me 13 incidente, të ndjekura nga anijet me flamur panamez me 10 raste dhe ato me flamur të Ishujve Marshall. Anijet me flamur iranian janë goditur në katër raste.
Frekuenca e incidenteve ka ndryshuar gjatë periudhave të ndryshme të konfliktit:
- Nga fillimi i luftës, më 28 shkurt, deri në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në mesin e qershorit, është regjistruar mesatarisht një incident çdo 2.3 ditë. Gjatë kësaj periudhe u vranë 16 persona dhe 19 të tjerë u plagosën.
- Gjatë negociatave, rreth 7 korrikut, numri i incidenteve ra ndjeshëm, në një rast çdo 4.6 ditë. Në këtë periudhë nuk u raportua asnjë detar apo punonjës porti i vrarë, plagosur apo i zhdukur. Katër nga pesë incidentet e regjistruara gjatë kësaj periudhe ndodhën pranë brigjeve të Omanit, në afërsi të pjesës më të ngushtë të rrugës detare.
- Pas dështimit të marrëveshjes mes Uashingtonit dhe Teheranit, incidentet u shtuan sërish, duke iu afruar niveleve të periudhës para negociatave. Sipas të dhënave të IMO-s, aktualisht regjistrohet mesatarisht një incident pothuajse çdo tre ditë. Në këtë fazë të konfliktit janë vrarë katër detarë ose punonjës portesh, 16 janë plagosur dhe një person është shpallur i zhdukur.
Shifrat nënvizojnë rrezikun në rritje për trafikun detar në një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.
