OBSH ngre alarmin: Raste të dyshuara dhe vdekje nga Ebola në Afrikën Lindore
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shprehur shqetësim lidhur me përhapjen e virusit Ebola. Sipas OBSH-së, në Republikën Demokratike të Kongos janë regjistruar 906 raste të dyshuara me Ebola, ndërsa 223 vdekje të dyshuara janë aktualisht nën hetim.
Organizata thekson se shpërthimi i llojit Bundibugyo të virusit Ebola vijon të përhapet në vend, teksa raste janë raportuar edhe në Uganda. Në Republikën Demokratike të Kongos, 125 raste të Ebolës janë konfirmuar në provincat Ituri, Kivu i Veriut dhe Kivu i Jugut, duke shkaktuar 17 viktima. Në Uganda, janë konfirmuar shtatë raste, tre prej të cilave të importuara nga Kongoja, dhe një viktimë. OBSH thekson se deri tani nuk është konstatuar transmetim komunitar në Ugandë.
Anais Legan, e cila bën pjesë në Programin e Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, ka deklaruar se shkalla e vdekshmërisë mes rasteve të konfirmuara varion nga 30% deri në 50%. “Është shumë e lartë. Kjo do të thotë se pesë nga dhjetë persona mund të humbin jetën,” tha ajo, duke sqaruar se shifrat mbeten paraprake dhe hetimet vazhdojnë.
OBSH njoftoi gjithashtu se aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime të miratuara posaçërisht për llojin Bundibugyo të virusit Ebola. Megjithatë, organizata konfirmoi edhe një zhvillim pozitiv: pacienti i parë i diagnostikuar me virusin në këtë epidemi është shëruar dhe është liruar nga spitali më 27 maj, pasi rezultoi negativ në dy teste radhazi.
Në Kenia, Gjykata e Lartë ka bllokuar përkohësisht planin për hapjen e një qendre karantine amerikane për persona të dyshuar si të ekspozuar ndaj Ebolës. Vendimi erdhi pas një ankese të paraqitur nga Instituti Katiba, një organizatë për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, e cila pretendon se marrëveshja mes Kenias dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po zbatohej pa transparencë. Qendra ishte planifikuar të hapej në bazën ajrore Laikipia, rreth 200 kilometra në veri të Nairobi.
Gjykata ndaloi përkohësisht krijimin ose funksionimin e çdo qendre të tillë deri në shqyrtimin e plotë të çështjes, ndërsa qeverisë keniane i është kërkuar të përgjigjet brenda 48 orëve.
