Ekspertët e OBSH-së kërkojnë prova për vaksina dhe trajtime të mundshme kundër Ebolës
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi të enjten se grupet e saj këshillimore kanë rekomanduar zhvillimin e provave klinike për vaksina dhe trajtime që mund të jenë efektive kundër llojit Bundibugyo të Ebolës.
Aktualisht, nuk ekziston asnjë vaksinë apo trajtim specifik për llojin e Ebolës që po shkakton shpërthimin vdekjeprurës në Republikën Demokratike të Kongos lindore.
Si përgjigje ndaj këtij shpërthimi, OBSH-ja mblodhi grupe ekspertësh dhe këshillimore për të shqyrtuar vaksinat dhe terapitë e mundshme për parandalimin dhe trajtimin e këtij lloji të Ebolës. Këto grupe analizuan disa produkte që u konsideruan mjaftueshëm premtuese për t’u prioritizuar në provat klinike te njerëzit.
Ata rekomanduan që “të gjitha produktet e identifikuar dhe të konsideruara të përdoren ekskluzivisht brenda provave klinike për të gjeneruar të dhëna të forta dhe për të siguruar kërkime të sigurta, etike dhe efektive”, sipas një deklarate të agjencisë shëndetësore të OKB-së.
OBSH-ja tha se do të bashkëpunojë ngushtë me Republikën Demokratike të Kongos dhe me Ugandën fqinje, ku gjithashtu janë regjistruar raste, për të lehtësuar vlerësimin e kërkimeve për këto produkte. Këto përfshijnë:
- Për trajtim: dy antitrupa monoklonalë dhe një ilaç antiviral.
- Për profilaksinë pas ekspozimit: një antiviral oral.
- Për parandalimin e rasteve: dy vaksina kandidate, megjithëse asnjëra prej tyre nuk është ende e gatshme për prova klinike.
“Ndërkohë, përparësia jonë kryesore është të ndalojmë transmetimin me mjetet që kemi përdorur për dekada të tëra në përgjigjen ndaj Ebolës. Këto përfshijnë mbikëqyrjen e sëmundjes, testimin dhe diagnostikimin e shpejtë, gjurmimin e kontakteve, izolimin dhe kujdesin për pacientët, parandalimin dhe kontrollin e infeksionit, angazhimin e komunitetit dhe varrimet e sigurta dhe dinjitoze,” theksoi OBSH-ja.
