OBSH: Shqipëria ngec në AI për Shëndetësinë

OBSH: Shqipëria shfaq ngecje në Inteligjencën Artificiale për Shëndetësinë

Shqipëria ka ngecje të theksuara në politikat e zbatimit të inteligjencës artificiale (IA) në sektorin shëndetësor. Kjo konstatohet në një raport të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i cili analizon përfitimet që mund të sjellë përdorimi i IA-së në shërbimet shëndetësore.

Sipas OBSH-së, Shqipëria konsiderohet ndër vendet me përparime minimale në krijimin e një kornize të sigurt dhe funksionale për përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në shëndetësi. Dokumenti nënvizon se, ndërkohë që vende të tjera po avancojnë me politika, certifikime dhe mekanizma mbrojtës për pacientët, Shqipëria ka vetëm një element të dokumentuar të kësaj kornize.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka realizuar vetëm procesin e certifikimit të sistemeve të AI në shëndetësi. Ky është një hap i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm për të krijuar besimin e nevojshëm te teknologjitë që po transformojnë shërbimet mjekësore. Të gjitha fushat e tjera të vlerësuara nga OBSH rezultojnë pa politika apo procedura zyrtare.

Konkretisht:

  • Vendi nuk ka rregulla për prokurimin, zhvillimin ose përdorimin e sistemeve të AI në mjekësi.
  • Nuk ka politika që trajtojnë ndikimin e këtyre teknologjive në mjedis.
  • Nuk ekzistojnë mekanizma për auditimin dhe dokumentimin e rreziqeve që AI mund të sjellë për pacientët.
  • Qytetarët dhe profesionistët e prekur nuk kanë një rrugë ligjore të përcaktuar për të paraqitur ankesa në rast dëmtimi nga një sistem AI.

Raporti gjithashtu thekson se Shqipëria ka kryer vetëm fazën e parë të angazhimit, atë të konsultimit me palët e interesit, por mungon progresi në fushat thelbësore për zhvillimin e kapaciteteve profesionale. Vendit i mungojnë:

  • Programet e trajnimit për aftësi në AI për personelin shëndetësor, si para punësimit, ashtu edhe gjatë periudhës së punës.
  • Role profesionale të specializuara në shkencën e të dhënave apo inteligjencën artificiale për sektorin e shëndetit.

Sipas ekspertëve, ky boshllëk rrezikon të çojë në përdorimin e pakontrolluar të teknologjive të AI në klinika apo struktura shëndetësore, pa standarde sigurie, pa transparencë dhe pa mekanizma mbrojtjeje për pacientët.

OBSH rekomandon që Shqipëria të hartojë një kuadër të plotë rregullator, të zhvillojë standarde për prokurimin dhe auditimin, si dhe të ndërtojë kapacitete profesionale për të përballuar integrimin e teknologjive të reja në sistemin shëndetësor.

Në një kohë kur inteligjenca artificiale po transformon shërbimet mjekësore në të gjithë Europën, raporti paralajmëron se vendet që nuk veprojnë në kohë rrezikojnë të mbeten pas dhe të përballen me sfida serioze, si për cilësinë e kujdesit, ashtu edhe për sigurinë e pacientëve. Shqipëria, sipas këtyre të dhënave, ka ende shumë punë për të bërë që të mos mbetet në periferi të këtij transformimi.

Scroll to Top