OKB kundërshton përpjekjet e Iranit për të kontrolluar Ngushticën e Hormuzit
Vendet e botës duhet të refuzojnë përpjekjet e Iranit për të vendosur kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Ky qëndrim vjen sipas një deklarate të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), raportoi “Reuters”.
Këshilli drejtues i IMO-s, organ ky i OKB-së, miratoi një dokument ku dënon vendimin e Iranit për krijimin e një strukture, që synon të kontrollojë trafikun detar në këtë ngushticë. IMO deklaroi se vendet anëtare nuk duhet të njohin pretendimet e Iranit për sovranitet mbi ujërat e Ngushticës së Hormuzit, as vendime që mund të pengojnë lundrimin ndërkombëtar.
Tensionet u rritën këtë javë, pas përplasjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, përfshirë sulme ajrore amerikane, pas akuzave të Uashingtonit se Teherani ishte përgjegjës për sulme ndaj anijeve.
Ngushtica e Hormuzit është një pikë strategjike për tregtinë globale, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e furnizimeve botërore me naftë. Çdo pengesë në këtë zonë mund të ndikojë në tregjet energjetike dhe transportin detar.
Irani ka mohuar se po përpiqet të mbyllë ngushticën, duke thënë se masat e tij synojnë vetëm rritjen e sigurisë detare dhe mbrojtjen e interesave të vendit.
