OKB ngre shqetësimin: Mungesë fondesh për gra e vajza

OKB ngre shqetësimin: Të paktën një milion gra e vajza kanë mbetur pa ndihmë për shkak të shkurtimeve të fondeve

Të paktën një milion gra dhe vajza kanë humbur aksesin në ndihmë humanitare dhe shërbime të tjera jetike, si pasojë e reduktimit të fondeve ndërkombëtare gjatë 18 muajve të fundit. Ky shqetësim është ngritur nga agjencia e Kombeve të Bashkuara për Gratë (UN Women).

Sipas të dhënave të publikuara nga organizata, 84% e organizatave të grave të përfshira në hulumtim kanë raportuar një rritje të ndjeshme të nevojave që nga janari i vitit 2025. Kjo periudhë përkon me fillimin e shkurtimeve të konsiderueshme të ndihmës ndërkombëtare.

Drejtoresha e Programeve Humanitare në UN Women, Sophia Calthorpe, paralajmëroi se reduktimi i financimeve po prek drejtpërdrejt gratë dhe vajzat më të cenueshme.

“Çdo dollar i tërhequr nga organizatat e grave është një dollar i mohuar viktimave të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, nënave të zhvendosura, vajzave që braktisin shkollën dhe komuniteteve që përpiqen të mbijetojnë”, deklaroi Calthorpe.

Agjencia e OKB-së u bëri thirrje donatorëve ndërkombëtarë të rrisin mbështetjen financiare për organizatat që ofrojnë ndihmë humanitare. Kjo, duke theksuar se mungesa e fondeve rrezikon të përkeqësojë edhe më tej situatën e miliona grave dhe vajzave në zonat e prekura nga krizat.

Scroll to Top