Zbulohet magazinë me veshje kontrabandë në Kamëz, arrestohet shtetas turk
Një 46-vjeçar me shtetësi turke, Ozkan Sulun, është arrestuar nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Brands 2”. Operacioni u finalizua në Kamëz, ku u zbulua një magazinë ku prodhoheshin ilegalisht veshje me marka të falsifikuara.
Gjatë aksionit, një tjetër shtetas turk, 50-vjeçari Mehmet Karçiga, është shpallur në kërkim. Gjithashtu, tre punonjëse të magazinës janë proceduar në gjendje të lirë.
Në magazinë u gjetën mallra që dyshohet se kanë shmangur detyrimet doganore, si dhe makineri për falsifikimin dhe stampimin e logove të markave të njohura, të cilat vendoseshin në veshje dhe këpucë të ndryshme.
Policia sekuestroi një sasi të madhe veshjesh dhe këpucësh, makineri lazeri, printimi dhe stampimi, stampa/logo të markave të njohura ndërkombëtare, një celular, si dhe materiale të tjera që do të shërbejnë për hetimin.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Për të arritur këtë rezultat, policia administroi informacione se në Kamëz po magazinoheshin veshje kontrabandë me logo të falsifikuara të markave të njohura ndërkombëtare. Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizoi dhe finalizoi operacionin “Brands 2”.
Gjatë operacionit u arrestua shtetasi turk O. S., 46 vjeç, u shpall në kërkim shtetasi turk M. K., 50 vjeç, dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset L. M., Sh. M., dhe Sh. B., punonjëse në këtë magazinë.
Policia po punon për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit turk të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprat penale si “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
