Operacioni “Metalurgjiku”, gjykata e Elbasanit liron 16 të arrestuarit
Gjykata e Elbasanit ka vendosur lirimin nga qelia të 16 personave të arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Metalurgjiku”. Trupi gjykues, i drejtuar nga gjyqtari Denis Frroku, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Elbasanit, përfaqësuar nga prokurori Kreshnik Ajazi, ka pranuar pjesërisht kërkesën. Gjykata ka vlerësuar si të paligjshme arrestimet në flagrancë dhe ka caktuar masa më të lehta sigurie për personat nën hetim.
Personat e liruar janë: Juncheol Chung, Ismail Dybeli, Prakash Kadel, Rahul Pal, Styend Pal, Munna Singh, Rajesh Yadav, Aaditiya Raj, Dheeraj Kumar, Jakup Karaj, Dorjan Xhufka, Elton Bejkolli, Besnik Abdiaj, Elton Beqi dhe Eglis Flaga.
Gjykata ka urdhëruar që të gjithë këta individë të paraqiten pranë policisë gjyqësore çdo të hënë të javës së parë të muajit, në orën 13:00. Gjithashtu, është urdhëruar lirimi i tyre i menjëhershëm nga paraburgimi, në rast se nuk mbahen për ndonjë masë tjetër sigurie apo dënim penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal, në kërkim vijojnë të jenë shtetasit:
- Agron Shapllo
- Serafin Orgocka
- Ilir Londo
- Ajet Kala
- Dritan Konica
- Fejzo Meçaj
- Bujar Zogu
- Gjergji Bezati
Operacioni “Metalurgjiku”, i finalizuar fundjavën e kaluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, pas një hetimi disa mujor me metoda speciale dhe nën drejtimin e Prokurorisë, konsiderohet si një nga aksionet më të rëndësishme kundër krimeve mjedisore të viteve të fundit. Hetimet fokusohen në aktivitetin industrial të paligjshëm në zonën e ish-Metalurgjikut në Bradashesh, ku dyshohet se ndotja sistematike ka rrezikuar drejtpërdrejt mjedisin dhe shëndetin e banorëve.
Në kuadër të procedimit penal janë vënë nën hetim dy kompani: CCALB sh.p.k dhe GSA Ferrokrom sh.p.k. Sipas organit të akuzës, këto subjekte dyshohet se kanë ushtruar përpunim të paligjshëm të mbetjeve dhe prodhim ferrokromi, duke shkelur në mënyrë flagrante legjislacionin mjedisor.
Sipas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), subjektet nën hetim kanë shkelur rëndë ligjin mjedisor, kanë ndotur ajrin, tokën dhe ujërat, nuk kanë zbatuar rregullat për menaxhimin e mbetjeve dhe kanë kryer përpunim të paligjshëm të mbetjeve të baterive, një aktivitet me rrezik ekstrem për shëndetin publik.
Për këto shkelje janë vendosur masa administrative të rënda, përfshirë gjoba në vlera milionëshe dhe pezullimin e aktivitetit. Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje elektronike, celularë dhe sisteme DVR, të cilat do të shërbejnë si prova kyçe materiale.
