Operatorët e transportit: Afate të gjata për kompensimin e naftës

Deridhe 35 ditë për kompensimin e naftës, operatorët përballen me procedura të gjata verifikimi

Operatorët e transportit publik, të cilët kanë nisur aplikimin për kompensimin e naftës prej 50 lekë për litër, duhet të kalojnë nëpër një sërë procedurash verifikimi, të cilat në Tiranë zgjasin deri në 35 ditë, ndërsa në rrethe deri në 25 ditë.

Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kostandin Foni, shpjegoi për “Monitor” se procesi për shumë operatorë ka nisur me paraqitjen e kërkesës për kompensim. Krahas kërkesës, subjektet po dorëzojnë edhe formularët e vetëdeklarimit për sasinë e karburantit të konsumuar, duke e krahasuar periudhën aktuale me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përveç vetëdeklarimit, operatorët duhet të paraqesin edhe dokumentacionin shoqërues, si faturat e blerjes dhe ato të daljes së karburantit.

“Në Tiranë, faza e parë e procesit përfshin verifikimin nga inspektori përgjegjës, i cili shqyrton kërkesën, vetëdeklarimin dhe dokumentacionin përkatës. Ky proces zgjat rreth 5 ditë. Pas përfundimit të këtij verifikimi, dokumentacioni kalon në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e cila ka afat deri në 15 ditë për shqyrtimin e dosjes. Më pas, nevojiten edhe rreth 10 ditë të tjera për verifikimet që kryhen nga Drejtoria e Transportit në Bashki, e cila kontrollon përputhshmërinë e targave të mjeteve të deklaruara me të dhënat e paraqitura për konsumin e karburantit. Në total, procedura për operatorët në Tiranë mund të zgjasë deri në 35 ditë. Ndërsa për subjektet në rrethe, afati është më i shkurtër dhe llogaritet rreth 25 ditë”, nënvizoi ai.

Operatorët e transportit shprehin shqetësimin se afatet e gjata të verifikimit mund të ndikojnë në likuiditetin e tyre, veçanërisht në një sektor ku shpenzimet për karburantin përbëjnë një nga kostot kryesore të aktivitetit. Ata kërkojnë që procedurat të përshpejtohen, në mënyrë që kompensimi i përfituar të jetë më i shpejtë dhe të lehtësojë barrën financiare të bizneseve.

Para miratimit të vendimit për dhënien e kompensimit prej 50 lekë për litër, shoqatat e transportit publik kishin ngritur disa herë shqetësimin se rritja e çmimit të naftës ka sjellë një shtim të konsiderueshëm të shpenzimeve operative për operatorët. Për të mos ulur cilësinë e shërbimit apo për të mos rritur çmimin e biletës, operatorët i kishin kërkuar institucioneve kompensimin e naftës për 6 muaj dhe rishikimin e ngarkesës fiskale mbi karburantin, veçanërisht në drejtim të akcizës dhe taksës së qarkullimit.

Në mungesë të një reagimi nga institucionet për dhënien e kompensimit, operatorët, me “duart e lidhura” për rritjen e çmimit të biletës (që ndryshon vetëm me udhëzim qeverie ose të këshillit bashkiak), u detyruan të reduktonin deri në 60% shërbimin e transportit publik për pothuajse 2 ditë në të gjithë vendin.

Para reduktimit të shërbimit, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban dërguan disa herë letra Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave dhe Bashkive për vështirësitë financiare të krijuara pas shtrenjtimit të naftës. Në takimin e zhvilluar më 1 prill me Ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u kërkua zbatimi i skemës së ngjashme të vitit 2022, ku për shkak të krizës së çmimeve, operatorët u kompensuan për 6 muaj me 100 lekë për litër.

Pas reduktimit të shërbimit, qeveria miratoi vendimin për dhënien e kompensimit prej 50 lekë për litër, për një periudhë 3-mujore, më pak sesa ishte kërkuar nga shoqatat e transportit. Konkretisht, vendimi përcakton se kompensimi do të llogaritet mbi shumën e konsumit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën nga shoqëritë.

Efektet financiare llogariten në vlerën e 250,000,000 lekëve, ose rreth 2.6 milionë euro, të cilat do të përballohen, 120,000,000 lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe 130,000,000 lekë nga buxheti i Bashkisë Tiranë.

Pas hyrjes në fuqi të vendimit, aplikimet për përfitimin e kompensimit nisën më 30 maj dhe përfundojnë më 1 gusht 2026. Po ashtu, me qëllim që operatorët të mos gjenden shumë shpejt në pamundësi financiare për përballimin e kostove nga çmimet e larta të naftës, kërkuan zgjatjen edhe me 3 muaj të periudhës së përfitimit të kompensimit, konkretisht për muajt korrik–shtator.

Scroll to Top