Opozita i ktheu shpinën teksa shpjegonte buxhetin 2026, Rama: Një pamje ekskluzive që më frymëzon shumë. Kështu me faqen për muri ju pafsha gjithmonë! (VIDEO)
Opozita zgjodhi si formë proteste në Kuvend që t’i kthente shpinën kryeministrit Edi Rama, teksa ky i fundit doli në foltore për të prezantuar buxhetin e vitit të ardhshëm. Ky moment nuk kaloi pa u komentuar nga kreu i qeverisë.
Ai tha se kishte përpara një pamje ekskluzive, ndërsa me ironi shtoi se një sjellje e tillë e frymëzonte.
“Do të më pëlqente të vazhdoja gjatë me këtë pamje ekskluzive që kam këtu… jo më pëlqen, por më frymëzon shumë dhe kështu me faqen për muri ju pafsha gjithmonë, vetëm me shëndet aman se na duheni gjallë”, tha kryeministri.
Rama vijoi duke theksuar se për sigurinë, drejtësinë dhe rendin kemi një buxhet masiv, i cili diktohet nga detyrimet e patjetërsueshme në raport me anëtarësimin në NATO dhe me drejtësinë e pavarur, pavarësinë e së cilës e garanton vetëm PS. Ai shtoi se në buxhetin që do të miratohet, kemi një rritje domethënëse si për mbrojtjen, ashtu edhe për drejtësinë.
Kryeministri bëri të ditur se nuk do të marrë shumë kohë nga kolegët e tjerë ministra, të cilët do të flasin më detajisht për aspektet specifike të buxhetit në çdo sektor. Megjithatë, ai shtoi një element të fundit, skemën e re të kompensimit për fermerët që nuk janë subjekt i TVSH-së.
“Me kompensimin që do të bëhet nga Administrata Tatimore, do t’i japim një shtytje sektorit të bujqësisë dhe reforma është më konkurruesja në rajon dhe vendoset në nivelin 10%”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama, nga Kuvendi, u ndal te akuzat e opozitës për tunelin e Llagarasë. Teksa në sallë ishte dhe Belinda Balluku, e cila është marrë nën hetim nga SPAK, Rama tha se shqiptarët i referohen drejtësisë.
Duke u ndalur te akuzat, pa përmendur emra, Rama shtoi se sot drejtësia është e pavarur.
“Dua ta nis duke cituar Eurostat! Shqipëria ka një nivel më të ulët rreziku për varfëri se sa Serbia apo Mali i Zi. Sipas BSH, dhe jo qeverisë së Shqipërisë, të ardhurat e disponueshme reale, pagat janë rritur 4-5% në periudhën 2024. Po e mbyll me FMN, i cili jo më larg se pak ditë më parë tha: Shqipëria është ndër ekonomitë më të shpejta në Europë”, theksoi ai, ndërsa socialistët duartrokitën.
Rama vijoi duke thënë se këto janë burime të padyshimta dhe nga shumica parlamentare. Ai iu referua akuzave për një “taksë korrupsioni” dhe mundësinë e rritjes agresive të pensioneve me 450 mln euro të inceneratorëve.
“Ky 450 mln euro është thjesht aritmetika e atij që mua më mungon shumë, por që e kujtoj përmes jush 7X7 baraz 42. Jo 450 por as 45 nuk duken askund. Gënjeshtrat tuaja të vetëdijshme apo jo, janë me dhjetëra herë mbi realitetin. Për sa i përket tunelit të Llogarasë, ai 50 mln euro është si 450 mln euro i inceneratorit. Ndërkohë, i rrini fort ligjit andej. Natyrisht që sot pikërisht pse drejtësia është e pavarur, shqiptarët i referohen drejtësisë dhe jo atyre që duan të bëjnë prokurorin rrugëve dhe që pastaj kur dalin në rrugë, mbeten kashtë e koqe, siç më thanë se kishit mbetur para dy netësh”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se kënga e mjerueshme e fondeve të Bujqësisë është analizuar nga Olafi, i cili për vitin 2019 dhe 2023 nuk ka gjetur shkelje të natyrës së njëjtë siç ka gjetur në Shqipëri, por vetëm në vende si Luksemburgu, Qipro, Holanda.
Rama sqaroi gjithashtu në Kuvend ‘paqen fiskale’, e cila përfshin fshirje të detyrimeve të papaguara që bizneset mund t’i kenë shtetit. Ai tha se falja e detyrimeve tatimore do të bëhet në 4 forma:
- Fshirje e plotë e detyrimeve të papaguara më të vjetra se 10 vite.
- Fshirje 50% nga 5 deri në 10 vite, nëse pjesa e mbetur paguhet menjëherë, me fshirje totale të gjobave dhe të interesave.
- Fshirje 25% e detyrimeve të periudhës 5-10 vite.
- Fshirje e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhën 1-5 vite, me kusht që të paguhet i plotë tatimi dhe kontributi i asaj periudhe.
Ai shtoi se bizneset jo vetëm do të kenë mundësi të lehtësohen nga kjo barrë e vjetër, por do të kenë edhe mundësinë të deklarojnë pasqyrimet e mëparshme financiare. Për diferencën e korrigjuar vullnetarisht mes deklarimit të vjetër dhe atij të ri, tatimi mbi fitimin do të jetë vetëm 5%.
Reagimi i opozitës
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas fjalës së kryeministrit Edi Rama në Kuvend. Ai pyeti Ramën se çfarë e detyron që të bënte avokatin e Ballukut, që është marrë nën hetim nga SPAK.
“Zoti Kryetar i Kuvendit, më lejoni që të sjell në vëmendje se dënimet kolektive i kemi lënë pas në kohën e paraardhësve tuaj. S’ka gjë më etike se t’i kthesh kurrizin një njeriu të korruptuar, një njeriu që u paraqit këtu jo si avokat i interesit publik, por avokat i vjedhjes së inceneratorëve, apo i kësaj afere të qeverisë. Ai nisi mbrojtjen se si ne duhet të bëjmë prokurorin ndaj Belinda Ballukut. Ne nuk e bëmë prokurorinë, por sollëm në vëmendje se çfarë ka thënë prokurori. Ne kemi cituar prokurorinë. Po ty çfarë të detyron që të vish në këtë faltore dhe të bësh avokatin e një të pandehure për vjedhje të fondeve publike, prej 50 mln euro. Shqiptarët presin rritje reale të pagave apo pensioneve”, tha ai.
Bardhi ironizoi kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar si avokat të skandalit të inceneratorëve dhe të tunelit të Llogarasë. Ai shtoi se për 15 minuta, Rama i dedikoi mbrojtjes sesi nuk duhet të bëjnë prokurorin ndaj Belinda Ballukut.
“Ne nuk bëmë prokurorin, por sollëm në vëmendje se çfarë ka thënë prokuroria. Ne cituam prokurorinë. Zonja është marrë e pandehur dhe ky është fakt publik, por ty çfarë të detyron të vish në foltore dhe të bësh avokatin e një të pandehure për abuzim me fonde publike në vlerën e 50 mln eurove. Shqiptarët presin që ti të bësh avokatin e tyre, ti zgjidhësh hallet dhe shqetësimet e tyre. Ne përbuzim modelin tuaj që në vend që t’i çoni paratë tek pensionistët, i çoni tek ministrat tuaj. I çojnë paratë në xhepat e zonjës që Rama ka në krah. Kjo duhet të përbuzet. Nuk mund të ndodhë që 800 mln euro ne t’ia besojmë një personi që është provuar dhe siç tha dje, meqë i referoheni komisioneres së zgjerimit, “shyqyr zotit” tha që u zbulua dhe të marrë ndëshkimin sipas ligjit. Sot qeveria shqiptare është e vetmja qeveri në rajon dhe ky është i vetmi kryeministër në rajon dhe Evropë që ka zv/kryeministre një të pandehur për abuzim me miliona euro. Kujtojmë që një ditë më parë komisionerja tha në një intervistë për DW se “ky është një hap përpara, sepse këto raste janë zbuluar. Kemi raste korrupsioni edhe brenda BE-së. Ato ndodhin kudo. E rëndësishme është të kemi institucione, vendet kandidate i kanë institucionet për t’i luftuar këto raste. Më pas do të jetë sistemi gjyqësor ose gjykatat që do të zbulojnë nëse ligji është shkelur dhe nëse është shkelur, se çfarë do të ndodhë më pas”, tha Bardhi.
