Osmani në Vatikan: Kërkesë zyrtare për njohjen e Kosovës nga Selia e Shenjtë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite zyrtare në Vatikan, ka kërkuar zyrtarisht njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë. Kërkesa u bë gjatë një takimi të zhvilluar në Pallatin Apostolik me Atin e Shenjtë Papa Leon XIV.
Në kuadër të vizitës, presidentja Osmani u takua gjithashtu me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, si dhe me Sekretarin për Marrëdhënie me Shtetet, Monsignor Paul Richard Gallagher.
Pas takimeve, presidentja Osmani e cilësoi vizitën si një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Vatikanit. Ajo shprehu shpresën dhe besimin e qytetarëve të Kosovës për një vendim të shumëpritur – njohjen e shtetësisë së Kosovës.
“Paraqita shpresën dhe besimin e gjithë popullit të Kosovës që Selia e Shenjtë të marrë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës, duke njohur vuajtjet e gjata të popullit tonë për liri, pavarësi dhe demokraci,” theksoi Osmani.
Presidentja shtoi se një njohje e tillë nga Vatikani do të kishte një ndikim pozitiv jo vetëm për Kosovën, por edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në Evropë. Ajo gjithashtu theksoi trashëgiminë historike dhe shpirtërore të Kosovës, duke përmendur figura si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Shën Tereza, si dhe rolin e Dardanisë në historinë e krishterimit dhe humanizmit evropian.
