OSSH: Investime në rrjetin e energjisë, humbje më të ulëta deri në 2027

OSSH synon uljen e humbjeve në 16.5% pas investimeve në rrjet

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë (OSSH) parashikon uljen e humbjeve të energjisë elektrike dhe reduktimin e ndërprerjeve të furnizimit, falë investimeve të planifikuara në rrjetin e shpërndarjes gjatë viteve 2026-2027. Këto objektiva janë paraqitur nga operatori pranë Entit Rregullator të Energjisë.

Humbjet e energjisë në rrjet pritet të zbresin në 16.50% deri në vitin 2027, nga rreth 16.96% në vitin 2025, sipas të dhënave të treguesve të performancës. Ky përmirësim lidhet drejtpërdrejt me realizimin e investimeve të planifikuara, të cilat përfshijnë ndërhyrje në linja, nënstacione, rrjete të tensionit të mesëm dhe të ulët, si dhe në sistemet e monitorimit.

OSSH parashikon gjithashtu një përmirësim të dukshëm të treguesve të vazhdimësisë së furnizimit. Energjia e pafurnizuar (matur me treguesin ENS) pritet të jetë 33,873 MWh për vitin 2026 dhe 33,196 MWh për vitin 2027. Indeksi SAIDI, i cili mat kohëzgjatjen mesatare të ndërprerjeve për klient, pritet të zbresë nga 36.07 në 35.35, ndërsa SAIFI, që mat frekuencën mesatare të ndërprerjeve, parashikohet të ulet nga 21.72 në 21.28.

“Plani i rishikuar pritet të ketë ndikim pozitiv në treguesit e performancës, pasi investimet janë orientuar jo vetëm drejt përmirësimit të SAIDI dhe SAIFI, por edhe drejt reduktimit të ENS, uljes së humbjeve teknike, përmirësimit të cilësisë së tensionit dhe shkurtimit të kohës mesatare të riparimit,” thekson OSSH në dokumentin e paraqitur.

Kompania rendit reduktimin e humbjeve të energjisë në rrjet dhe rritjen e sigurisë së furnizimit mes objektivave kryesore të planit të investimeve për vitin 2026. Objektiva të tjera përfshijnë përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike, zhvillimin e rrjetit në përputhje me kërkesat e reja dhe përdorimin e sistemeve teknologjike të avancuara.

Investimet në rikonstruksionin e nënstacioneve dhe rritjen e kapaciteteve transformuese synojnë të ulin rrezikun e mbingarkesave në zonat me zhvillim të lartë urban, turistik ose ekonomik. Zhvillimi i fiderëve të rinj dhe lidhjeve unazore do të reduktojë varësinë nga konfigurimet radiale të rrjetit, duke ofruar mundësi alternative furnizimi në rast defektesh.

OSSH njofton se përmirësimi i treguesve do të monitorohet periodikisht gjatë zbatimit të planit të investimeve.

Scroll to Top