Rama përgjigjet ndaj kritikave: “Ushtria e trollave”

Kryeministri Rama përgjigjet ndaj kritikave: “Ushtria e trollave” tregon se e kam bërë mirë detyrën

Botuar më 12.08.2026 nga shekulli_admin

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me sulmet që i janë bërë nga Prishtina, pas një deklarate të bërë dy ditë më parë, ku ai u shpreh se “Serbia e humbi Kosovën”. Rama theksoi se sa herë që “ushtria e trollave” nis sulme kundër tij, kjo tregon se ai e ka kryer mirë detyrën e tij si kryeministër i Shqipërisë.

Ai shtoi se, pavarësisht se ndërhyrja e tij në një debat ishte përshëndetur edhe nga deputetja britanike Alicia Kearns, kritika në Prishtinë u përqendruan vetëm te një fjali e vetme nga deklarata e tij. Rama e cilësoi si “fakt” deklaratën se “Serbia e humbi Kosovën”, duke shtuar se kundërshtimi ndaj tij nga qarqe nacionaliste në Beograd dhe Prishtinë, sipas tij, është një tjetër vlerësim për diplomacinë e Shqipërisë dhe për atë që ai e quan “Europa e Ballkanit”.

POSTIMI I RAMËS

“Unë e kam një laborator ekselent për të matur saktësinë e qëndrimeve të mia kur flas apo postoj lidhur me Serbinë: Ushtrinë e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës. Sa herë që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi, qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës, dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal.

Edhe dje laboratori ka funksionuar perfekt, me trollat që u lëshuan për të më rikonfirmuar si tradhëtar, pse thashë ‘Serbia e humbi Kosovën’, përgjatë ndërhyrjes sime në debatin dinjitoz të ditëve të fundit mes autoriteteve tona dhe atyre të Serbisë, për paprekshmërinë e lumit Ibër.

Pra qëndrimi im ka qenë preciz. Përderisa në krejt atë ndërhyrje shteruese – që u përshëndet edhe nga vetë deputetja britanike Alicia Kearns, një flamurtare e flaktë e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar – baza e turbofolkut nacionalist në Prishtinë gjeti të kapet pas një fjalie të vetme, për të mos lejuar ai qëndrim i qartë kundër provokimit të Serbisë të “hutonte” fansat e turbofolkut.

Që Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt, sa përvëlues për turbofolkun nacionalist në Beograd, aq cingërrisës edhe për turbofolkun nacionalist në Prishtinë. Dhe ripërputhja e tyre dje në kundërshtinë patetike ndaj meje, është thjesht një tjetër kompliment për diplomacinë e Shqipërisë, Europës së Ballkanit.”

Scroll to Top