Pagesa shtesë për zjarrfikësit: deri 50% më shumë për orët jashtë orarit

Qeveria miraton pagesën e orëve shtesë për zjarrfikësit, me një shpërblim deri në 50% mbi pagën bazë.

Punonjësit zjarrfikës do të marrin kompensim financiar për çdo orë shtesë në shërbim, duke përfituar nga 20% deri në 50% të pagës së tyre bazë. Ky vendim, miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, sjell shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 203, datë 10.4.2019 të Këshillit të Ministrave, i cili përcakton kriteret, masën e përfitimit dhe llojet e pushimeve në shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.

Sipas vendimit të ri:

  • Për orët shtesë në ditë të zakonshme pune, punonjësit zjarrfikës do të përfitojnë 25% të pagës.
  • Për orët e mbrëmjes (nga ora 19:00 deri në 22:00), kompensimi do të jetë 20% e pagës.
  • Për orët e natës (nga ora 22:00 deri në 06:00), kompensimi arrin në 50% të pagës.
  • Punonjësit do të marrin gjithashtu 50% të pagës për orët shtesë gjatë pushimit javor dhe për punën në ditët e festave zyrtare.

Vendimi përcakton gjithashtu një kufizim maksimal prej 200 orësh shtesë në vit për punonjësit operacionalë. Megjithatë, ky numër maksimal mund të tejkalohet në raste force madhore ose emergjencash civile, me autorizimin e inspektoratit përgjegjës.

Një risi tjetër e rëndësishme është përcaktimi i qartë i përfitimeve edhe për punonjësit që nuk janë planifikuar në shërbim, por thirren në punë jashtë orarit apo gjatë festave. Ata do të marrin kompensim financiar ose ditë pushimi shtesë, sipas përcaktimeve të reja.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe efektet financiare do të përballohen nga buxheti i shtetit.

Scroll to Top