Pakica Rome dhe Egjiptiane: Aktivistët propozojnë ndryshime ligjore
Për gati tre muaj, pas shkarkimit të zv/Ministrit të Brendshëm që drejtonte Komisionin e Posaçëm për Pakicat Etnike, qindra anëtarë të pakicave Rome dhe Egjiptiane nuk kanë mundur të marrin shërbimet e tyre publike nga institucionet shtetërore.
Në mungesë të një zgjidhjeje, anëtarët e këtyre komuniteteve njoftuan një protestë, thirrje e cila solli reagim të menjëhershëm nga Ministria e Brendshme.
“Menjëherë pasi panë njoftimin për protestë, u ftuam në takim nga Zv/ministrja e Brendshme Silva Caka për të diskutuar për zgjidhjen emergjente që duhet të jepet pasi procesi aktual po pengon anëtarët e pakicave të marrin shërbimet publike, e sidomos ato arsimore”, i tha BIRN Jeta Pera, aktiviste e të drejtave për komunitetin Rom dhe Egjiptian.
Në Shqipëri ekzistojnë nëntë pakica kombëtare, përkatësisht minoriteti Grek, Arumun, Maqedonas, Rom, Egjiptian, Malazez, Boshnjak, Bullgar dhe Serb. Komisioni i Posaçëm për këto pakica kombëtare u themelua në vitin 2017 mbi ligjin për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë, dhe ka si qëllim të sigurojë ushtrimin e të drejtave të këtyre pakicave dhe mosdiskriminimin e tyre në shoqëri.
Aktivistët për të drejtat e pakicave Rome dhe Egjiptiane shprehën shqetësimin se koha e kufizuar e mbledhjes së komisionit, i cili aktualisht është mosfunksional, nuk premton për nevojat imediate të marrjes së shërbimeve.
“Gjatë kësaj kohe janë mbledhur 300 aplikime për vërtetime të cilat akoma nuk janë marrë në shqyrtim, për shkak se Komisioni nuk funksionon”, i tha BIRN Ervis Çota, aktivist dhe drejtues i shoqatës Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome.
Sipas tij, disa shërbime kërkojnë përgjigje në kohë rekord, si për shembull aplikimet për përjashtimet nga tarifa në kopshte dhe çerdhe, për përfitimet e bursave për arsim parauniversitar apo profesional, dhe aplikimet e familjeve të pastreha për programin e strehimit.
“Komisioni mblidhet zakonisht dy herë në vit, por individët kanë të drejtën që të marrin shërbimin imediat sipas nevojave të tyre”, shtoi Çota.
Në mungesë të emërimit të një kryetari të Komisionit përgjegjës për Pakicat Etnike, përgjegjësia e shqyrtimeve i mbetet Ministrisë së Brendshme, që përkthehet në kohë shtesë për shqyrtimin e kërkesave.
Çota i tha BIRN se në këto kushte ata i kanë propozuar zv/Ministres së Brendshme një zgjidhje afatshkurtër.
“Ne propozuam si një zgjidhje afatshkurtër lëshimin e një urdhri të përkohshëm nga Ministria e Brendshme drejtuar institucioneve përkatëse përgjegjëse për këto aplikime, që të mundësohet marrja e shërbimeve deri në zgjidhjen e ngërçit”, theksoi Çota lidhur me çfarë u bisedua në mbledhjen e aktivistëve dhe përfaqësuesve të ministrisë.
Edhe aktivistja Pera shprehet optimiste se kjo zgjidhje do të lehtësojë disi nevojat urgjente të komunitetit Rom dhe Egjiptian.
“Zv.Ministrja Caka na premtoi se maksimumi të premten do të nxjerrë një urdhër që do të shpërndahet në bashkitë e vendit dhe institucionet arsimore dhe do të çlirojë marrjen e shërbimeve deri në një zgjidhje të qëndrueshme”, i tha BIRN Jeta Pera.
Përsa i përket zgjidhjeve afatgjata, drejtuesi i organizatës “Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome” tha për BIRN se propozimet e tyre kishin të bënin me decentralizimin e proceseve të aplikimeve dhe vetëdeklarimit, ose me digjitalizimin e procesit.
“Kalimi i aplikimeve në mënyrë digjitale në e-albania ndoshta do të ishte një zgjidhje për reduktimin e kohës”, tha aktivisti, mbi propozimet që u hodhën në mbledhjen me zv/Ministren e Brendshme.
“Gjithashtu decentralizimi i procesit nga Ministria e Brendshme, duke i kaluar kompetencat tek pushteti vendor do të ishte një tjetër zgjidhje, por kjo sigurisht do kërkonte ndryshime nëpërmjet VKM-ve”, shtoi Çota.