Rikthehet Panairi i Produkteve Artizanale në Green Coast: “DUART”, një mbrëmje kushtuar artit dhe mjeshtërisë
Panairi i Produkteve Artizanale është rikthyer për të katërtin vit radhazi në Green Coast, këtë herë nën konceptin “DUART”. Ky koncept vendos në qendër punën e dorës, materialet dhe procesin krijues pas çdo punimi artizanal.
Artizanë nga fusha të ndryshme sollën në shëtitoren buzë detit një gamë të larmishme punimesh, duke përfshirë:
- Qeramikë
- Punime në dru
- Punime në qelq
- Bizhuteri
- Skulptura
- Qilima
- Makrame
- Çanta të punuara me dorë
- Qirinj
- Sapunë
- Parfume dhe krijime të tjera.
Artizanët shprehen se panairet e tilla janë një “motor” që i motivon ata të vazhdojnë krijimtarinë e tyre të vazhdueshme. Ata theksojnë rëndësinë e këtyre eventeve për t’u afruar me njerëzit, për t’i bërë punimet e tyre më të prekshme dhe për të krijuar gjithmonë gjëra të reja për dashamirësit e tyre.
Një artizan përmendi se “Kanë interes, sepse ka edhe shumë të huaj këtu dhe të huajt kanë gjithmonë interes më shumë për punët artizanale që bëhen me dorë, handmade.” Ai shtoi se “Kënaqësia më e madhe është kur sheh që njerëzit pëlqejnë gjërat që t’i bën.”
Këtë vit, eksperienca u pasurua edhe me dy masterclass-a të dedikuara krijimit të parfumeve dhe qirinjve. Pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin nga afër me procesin e krijimit, të eksperimentonin me aroma dhe materiale të ndryshme, dhe të realizonin vetë produktin e tyre.
Një pjesëmarrëse në masterclass tha: “Nuk kisha bërë asnjëherë punim me qiri, kështu që u futa te pjesa e masterclass-it dhe ishte shumë eksperiencë e bukur. Ishte shumë qetësuese dhe shumë kreative.”
Një tjetër pjesëmarrëse shtoi: “Ishte një eksperiencë e re të mësosh diçka ndryshe për qirinjtë, mënyra e dekorimit, se si shkrihen, procesi, ishte diçka shumë e veçantë.”
Panairi tërhoqi vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët përgjatë mbrëmjes mundën të takonin artizanët, të zbulonin teknika të ndryshme të punës së dorës dhe të bëheshin pjesë aktive e eksperiencave krijuese.
Një pushues shprehu entuziazmin e tij: “Më pëlqen shumë, janë të gjitha handmade këtu dhe janë të punuara me dorë të lirë. Mbledhin më shumë njerëz, janë gjëra të bukura, më pëlqen shumë.”
Një tjetër pushues theksoi: “Është shumë bukur fakti që njerëzit menaxhojnë të bëjnë diçka të tillë për njerëzit që vijnë, sidomos për turistët dhe të tregojnë bukurinë e Shqipërisë, është diçka shumë e veçantë. Është hera e parë që vijmë këtu dhe është mrekulli.”
Përmes aktiviteteve që sjellin së bashku artin, kulturën dhe krijimtarinë, Green Coast vijon të pasurojë kalendarin veror me evente që i japin një dimension të veçantë eksperiencës buzë detit dhe krijojnë momente takimi mes njerëzve, artit dhe traditës shqiptare.