Panamaja forcon sigurinë në kufirin me Kolumbinë pas sulmeve të përgjakshme
Autoritetet e Panamasë kanë shtuar masat e sigurisë përgjatë kufirit me Kolumbinë, pas dy sulmeve të armatosura në territorin kolumbian, të cilat rezultuan me vdekjen e një oficeri policie dhe plagosjen e disa personave të tjerë.
Vendimi u bë publik të dielën, një ditë pasi presidenti i ri i Panamasë, Abelardo de la Esperanza, mori detyrën duke premtuar veprime të vendosura kundër krimit të organizuar dhe grupeve të armatosura.
Panamaja dhe Kolumbia ndajnë një kufi rreth 266 kilometra, pjesa më e madhe e të cilit kalon nëpër xhunglën e Darienit. Kjo zonë njihet si ndër më sfiduese për kontrollin në rajon dhe ka infrastrukturë rrugore shumë të limituar.
Pas sulmeve, Ministria e Sigurisë së Panamasë njoftoi se agjentët e Shërbimit Kombëtar të Kufirit (SENAFRONT) dhe Shërbimit Kombëtar Aeronaval (SENAN) kanë shtuar praninë në zonën kufitare. Autoritetet kanë deklaruar se do të intensifikojnë mbikëqyrjen dhe kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kalimeve të paligjshme dhe goditjen e organizatave kriminale.
Drejtori i përgjithshëm i SENAFRONT, Larry Solis, theksoi se objektivi kryesor është forcimi i kontrollit të kufijve dhe brigjeve, si dhe lufta kundër grupeve që kryejnë aktivitete kriminale.
Frika nga infiltrimi i grupeve kolumbiane
Në Panama ekzistojnë shqetësime se përshkallëzimi i dhunës në Kolumbi mund të inkurajojë organizatat kriminale të kalojnë në territorin panamez. Ndër grupet më shpesh të përmendura janë Clan del Golfo dhe anëtarë të dyshuar të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN), të cilët mund të shfrytëzojnë terrenin e vështirë të Darienit për të depërtuar.
Megjithatë, vetëm pak ditë më parë, ministri panamez i Sigurisë Publike, Frank Ambrego, kishte minimizuar rrezikun e një infiltrimi të tillë. Ai deklaroi se autoritetet panameze mbështeteshin në informacionet e shkëmbyera me homologët kolumbianë dhe se nuk kishte të dhëna konkrete që të tregonin për një kërcënim të menjëhershëm. Ambrego u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve që të mos përhapin panik dhe të shmangin spekulimet.
Panama zhvillon stërvitje ushtarake për mbrojtjen e Kanalit
Forcimi i sigurisë kufitare zhvillohet në një periudhë kur Panama po kryen, së bashku me rreth 20 vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, një seri stërvitjesh ushtarake për mbrojtjen e Kanalit të Panamasë. Në ceremoninë përmbyllëse të stërvitjeve pritet të marrë pjesë të enjten edhe Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth.
Autoritetet panameze kanë nënvizuar se masat e reja synojnë të parandalojnë çdo përhapje të dhunës dhe aktiviteteve kriminale nga Kolumbia drejt territorit të Panamasë, veçanërisht përmes zonës së vështirë të Darienit.
