Papa Françesku takon Ipeshkvin e Ukrainës, i kërkon fundin e luftës

Papa Françesku pret Ipeshkvin Vitalii Kryvytskyi: T’i jepet fund tmerrit të luftës në Ukrainë

Papa Françesku ka pritur në Vatikan Ipeshkvin Vitalii Kryvytskyi të Dioqezës Kyiv-Zhytomyr të Kishës Katolike Romake në Ukrainë dhe anëtar i Këshillit të Gjithëukrainas të Kishave dhe Organizatave Fetare (AUCCRO).

Papa Françesku siguroi se do të vazhdojë të lutet për Ukrainën dhe të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të ndihmuar në ndërprerjen sa më shpejt të tmerrit të luftës.

Sipas mediave ukrainase, Ipeshkvi Kryvytskyi shkroi në Facebook mbi detajet e takimit:

“Ishte një takim shumë i ngrohtë dhe frymëzues me Atin e Shenjtë. Folëm për Ukrainën, luftën dhe rrugën drejt një paqeje të drejtë. Papa është i informuar mirë për situatën tonë, thellësisht i shqetësuar për atë që po kalon Ukraina dhe po kërkon aktivisht mënyra për ta zgjidhur.”

Gjatë audiencës, Ipeshkvi Kryvytskyi i kujtoi Papës ftesën e dërguar nga AUCCRO për të vizituar Ukrainën.

“E falënderova Papën për lutjet e tij, si personale ashtu edhe ato që inkurajon të gjithë Kishën. I kërkova të vazhdojë të lutet për Ukrainën dhe të nxisë të tjerët ta bëjnë këtë, teksa i afrohemi një dimri të vështirë,” tha Ipeshkvi.

Scroll to Top