Paralajmërim Rusia: Operacion ushtarak i ri ndaj Lituanisë?

Përsëritje e skenarit të Ukrainës? Pse po paralajmëron Rusia një tjetër “operacion special ushtarak”?

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti ka publikuar një artikull opinioni me titull agresiv: “Rusia përballet me një tjetër operacion special ushtarak. Ai do të jetë shumë i shkurtër”, ku diskutohet mundësia e një konflikti të ri me një vend anëtar të NATO-s.

Shkrimi është realizuar nga Alexander Nosovich, kryeredaktor i portalit RuBaltic, i cili veçon Lituaninë si objektivin e mundshëm të një agresioni të ri rus. Nosovich e krahason Lituaninë me Ukrainën dhe pretendon se, në rast përplasjeje, Rusisë mund të mos i nevojiten trupa tokësore, por mund të përdorë raketa me mbushje bërthamore.

Publikimi vjen në një kohë kur në Lituani po shqyrtohet heqja e ndalesës kushtetuese për vendosjen e armëve bërthamore në territorin e saj. Megjithatë, zyrtarët lituanezë kanë deklaruar vazhdimisht se nuk ekzistojnë plane për vendosjen e armatimeve të tilla në vend.

Artikulli publikohet në një periudhë me tensione të larta ushtarake në krahun lindor të Aleancës Veriatlantike. Së fundmi, Lituania regjistroi një incident me një dron rus të tipit “Gerbera”. Presidenti lituanez, Gitanas Nausėda, bëri me dije se droni me shumë gjasë kishte si objektiv Ukrainën, por kishte devijuar nga kursi i tij duke hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë.

Retorika kërcënuese ndaj shtetit baltik vijon deklaratat e mëparshme të Kremlinit. Në shtator, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, paralajmëroi se Lituania do të shndërrohej në objektiv të armëve bërthamore ruse nëse vendos të strehojë municione të tilla në territorin e saj.

Scroll to Top