Parashikimi i motit për ditën e martë
Ditën e sotme, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me vranësira mesatare e të denduar, si dhe me kthjellime të herëpashershme.
Do të ketë prezencë reshjesh shiu që në orët e para të 24-orëshit, në pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ulët. Gjatë ditës, hera-herës, në zonën e veriperëndimit dhe jugperëndimit priten reshje shiu në formën e shtrëngatave afatshkurtra.
Në orët e mesditës dhe pasdites, në jugperëndim (Vlorë, Himarë, Delvinë) dhe në veriperëndim (Velipojë, Shkodër, Lezhë), reshjet e shiut do të kenë intensitet mesatar deri të lartë, hera-herës me shtrëngata të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Në zonën e Alpeve dhe në lartësinë mbi 1500 metra, priten reshje bore me intensitet të ulët.
Shikimi do të jetë i reduktuar për shkak të prezencës së reshjeve të shiut.
Era do të fryjë me drejtim nga juglindja-jugperëndimi, me shpejtësi mesatare deri në 7 metra/sekondë. Herë-herë, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore, era mund të arrijë shpejtësi deri në 20 metra/sekondë.
Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon do të jetë i forcës 3-5 ballë.
