Reshje dëbore dhe shiu: Parashikimi i motit për sot
Ditën e sotme, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura.
Reshjet e shiut pritet të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit deri në orët e mesditës në pjesën më të madhe të territorit, me intensitet kryesisht të ulët. Në jug, reshjet e shiut do të kenë intensitet deri mesatar. Lokalisht, mund të ketë reshje shiu në formën e shtrëngatave në intervale të shkurtra kohore.
Pas mesditë, reshjet e shiut do të mbeten prezente me intensitet të ulët, kryesisht në qendër dhe në jug të vendit.
Në zonën e Alpeve, si dhe në lartësitë mbi 600-800 metra në verilindje dhe mbi 1000 metra në juglindje, priten reshje bore me intensitet të ulët.
