Debatet në Partinë Demokratike/ Salianji pyet Berishën: Cili nen i statutit ndalon takimet me demokratët?
Vijojnë debatet në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike, mes anëtarit të saj, Ervin Salianjit, liderit të opozitës, Sali Berishës, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka.
Shkak për këto debate është bërë nisma e ndërmarrë nga Salianji, si anëtar i kryesisë, për të zhvilluar takime në mbarë vendin me qëllim riorganizimin e strukturave të partisë.
Sipas burimeve brenda mbledhjes, Salianji i është drejtuar drejtpërdrejt Berishës duke pyetur: “Cili nen i statutit ndalon anëtarët e kryesisë të takojnë demokratët?”. Ai shtoi më tej se “Demokratët e neglizhuar duhen dëgjuar, jo përjashtuar si tek Partia Socialiste. Kush mendon ndryshe është vlerë dhe jo problem.”
Duke iu drejtuar Nokës dhe Berishës, Salianji vazhdoi: “Sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrëzuar Ramën, por paskan të bëjnë me mua. Po e zhvendosni vëmendjen plotësisht nga Rama.”
Si kundërpërgjigje, Noka i është drejtuar Salianjit me fjalët: “Me këtë që po bën, po u shërben atyre që ke përballë.”
Nga ana e tij, Salianji u kundërpërgjigj: “Jep dorëheqjen, Flamur, e ke shkatërruar partinë, dhe gabimi me Avokatin e Popullit është përgjegjësi e jotja.”
