Partia Demokratike, nëpërmjet kreut të grupit parlamentar, Gazment Bardhi, ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare të shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Sipas PD-së, Presidenti ka konsumuar 7 shkelje të rënda dhe të përsëritura të Kushtetutës.
Ndër shkeljet e evidentuara nga opozita, përmenden:
- Dekretimi antikushtetues i zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, duke futur në ngërç kushtetues procesin zgjedhor dhe duke shkaktuar konfuzion tek zgjedhësit.
- Ndërhyrja në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar ndërprerjen antikushtetuese të mandateve të anëtarëve të saj.
- Dekretimi antikushtetues i ligjit për komisionet hetimore, duke injoruar të drejtën e opozitës për kontroll parlamentar.
- Dekretimi antikushtetues i emërimit të Kryeministrit dhe të Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”, duke cenuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
- Refuzimi për të ndaluar përfshirjen e trupit diplomatik në fushatë elektorale, duke cënuar barazinë e palëve në zgjedhje.
- Ndërhyrja antikushtetuese e Kabinetit të tij në procesin zgjedhor, duke përforcuar perceptimin e shkrirjes së shtetit me partinë.
- Përfitimet personale dhe të birit në shkelje flagrante të Kushtetutës, duke dhënë të gjitha prokurimet publike të Institucionit të Presidentit kompanisë ku punon djali i tij.
PD argumenton se këto shkelje, të dokumentuara në një material prej 80 faqesh dhe të mbështetura nga 224 faqe prova, përbëjnë shkaqe të mjaftueshme për shkarkimin e Presidentit, sipas nenit 90, pika 2, të Kushtetutës.
Për shkeljen e fundit lidhur me prokurimet, Partia Demokratike ka autorizuar ekipin ligjor për të përgatitur kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publik” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.
Sipas PD, Presidenti Begaj ka humbur atributet e kreut të shtetit dhe përfaqësuesit të unitetit të popullit, duke treguar besnikëri ndaj Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, dhe jo Kushtetutës dhe ligjit.