Grupi Parlamentar i PD kallëzon për “Shpërdorim detyre” kreun e Kuvendit, Niko Peleshin
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike (PD) ka depozituar një kallëzim penal për veprën penale “Shpërdorim detyre” ndaj Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Shkak i këtij kallëzimi, sipas PD-së, është bllokimi i mbledhjes së Këshillit të Mandateve për çështjen që lidhet me zv.kryeministren Belinda Balluku.
Grupi Parlamentar i PD-së ka bërë disa herë kërkesë drejtuar Kuvendit për të mbledhur Këshillin e Mandateve, lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në datën 16 dhjetor 2025, SPAK i ka paraqitur Kuvendit kërkesën përkatëse. Fillimisht, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh më 19 dhjetor 2025, por kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërpreu mbledhjen në mënyrë arbitrare, pa caktuar një datë të re, duke argumentuar nevojën për të dhënë kohë anëtarëve dhe palëve të njihen me dokumentet.
Megjithatë, pesë deputetë të PD-së, anëtarë të Këshillit, kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur mbledhjen e Këshillit më datat 22, 23, 29 dhe 30 dhjetor 2025, si dhe më 6 janar 2026. Në këto kërkesa, deputetët kanë theksuar se koha ka qenë mëse e mjaftueshme për t’u njohur me aktet dhe për t’u përgatitur mbrojtja, duke marrë parasysh edhe natyrën e ngutshme të kërkesës së Prokurorisë dhe rrezikun e prishjes së provave apo intimidimit të dëshmitarëve nga e pandehura Belinda Balluku.
Deputetët e PD-së argumentojnë se, pavarësisht detyrimit ligjor të kryetarit të Kuvendit për të mbledhur Këshillin, Niko Peleshi ka refuzuar kërkesat e tyre në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme. Kjo veprim, sipas tyre, ka cenuar të drejtën e ligjshme të deputetëve për të thirrur mbledhjen dhe ka penguar mbarëvajtjen e hetimeve të Prokurorisë.
Grupi Parlamentar i PD-së konkludon se, me refuzimin e mbledhjes së Këshillit dhe njoftimin e rendit të ditës, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka konsumuar elementët objektivë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, duke vepruar në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe duke dëmtuar interesat e shtetit dhe të shtetasve.
