PD kërkon mocion me debat në Kuvend lidhur me raportin final të ODIHR
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike (PD) ka kërkuar sot zhvillimin e një debati në Kuvend, me fokus gjetjet e raportit final të OSBE-ODIHR, i cili u publikua javën e kaluar.
Në kërkesën e firmosur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, theksohet se:
“Pasur parasysh gjetjet dhe konkluzionet e raportit final të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, veçanërisht ato që lidhen me shkeljen e parimit të barazisë së palëve në garë, vlerësojmë se është detyra jonë si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, që të iniciojmë dhe nxisim debatin parlamentar për problematikat, mangësitë dhe standardet e proceseve zgjedhore në vendin tonë. Ky debat do të shërbejë edhe si një kontribut për punën e Komisionit Parlamentar për Realizimin e Reformës së Zgjedhore, të miratuar rishtazi me konsensus ndërpartiak.”
Sipas deputetëve të opozitës, në përmbajtjen e Raportit theksohet se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 u mbajtën në një mjedis tejet të polarizuar, ku garuesit nuk gëzuan mundësi të barabarta.
Raporti vë në dukje se partia në pushtet përfitoi nga:
- Përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe kapaciteteve institucionale.
- Bërja publike, vetëm pak orë para ditës së zgjedhjeve, e faljes së një numri të madh gjobash.
- Angazhimi i zyrtarëve të lartë qeveritarë në një numër të madh aktivitetesh zyrtare që shpesh përkonin me mesazhet e fushatës, duke e bërë të paqartë vijën ndarëse mes shtetit dhe partisë.
Gjithashtu, pati pretendime për:
- Presion ndaj nëpunësve të administratës publike.
- Raste intimidimi të mbështetësve të opozitës.
- Përdorim i rrjeteve të patronazhimit, çka bie ndesh me standardet ndërkombëtare.
Çështje të tjera shqetësuese përfshijnë raportimet për shit-blerje votash, tentativat për të ndikuar pa të drejtë tek zgjedhësit e marxhinalizuar, si dhe pretendime për ndikim të elementëve kriminalë në disa parti politike.
