PD kërkon interpelancë për Ballukun, Rama refuzon

Partia Demokratike ka kërkuar një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen e ministres Belinda Balluku, por kërkesa është rrëzuar nga mazhoranca.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka deklaruar se nuk e ka miratuar kërkesën e Partisë Demokratike për interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama për çështjen Balluku.

Kreut i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi thirrjen e Kryeministrit Rama në Kuvend për këtë interpelancë. Megjithatë, kërkesa nuk u pranua, duke u argumentuar se çështja është tashmë në Gjykatën Kushtetuese.

Bardhi akuzoi Ramën se është kthyer në mbrojtës të Belinda Ballukut dhe po i shmanget përgjegjësisë para deputetëve. Sipas tij, Rama është urdhëruesi kryesor i aferës së Llogarasë.

Deputeti demokrat shtoi se Kryeministri po ushtron presion mbi Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si ndërhyrje në punët e drejtësisë.

“Çdo shqiptar e ka parë që Rama del dhe flet me vete tre herë në ditë për këtë çështje, del dhe mbron të pandehurën ministre të paktën tre herë në ditë me videoselfie apo postime në Twitter, si një mjet presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese. Një njeri që flet nga mëngjesi në darkë për këtë çështje, u fshihet deputetëve dhe llogari dhënies. Në këtë rast fshihet pas një shkresë tuajën që thoni s’mund të shqyrtoni shkresën e Gjykatës Kushtetuese.

Ne duam të dimë cili është motivi që ka në kabinet numrin 2 të pandehur nga SPAK, pse është bërë kryeministri i parë në histori të botës që ndërhyn në një çështje në hetim, ka kërkuar në emër të Këshillit shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së për pjesën që ka disponuar vendosjen e pezullimit të detyrës.

Çfarë pune ka Kryeministri që shndërron institucionin në zyrë avokatie ndaj një të pandehure? Pse do duhet Kryeministri të bëhet palë në një çështje ku nuk është palë? Ai duhej të ishte këtu për të dhënë të pavërtetat e tij. Ai vetë e pranon përmes kërkesës në Kushtetuese që është bashkëfajtor me Ballukun, duhej të ishte marrë bashkë i pandehur. Kërkesën e ka bërë për veten e vet, sepse urdhëruesi i aferës së tenderit të Llogarasë është Rama. Ka paditur një vendim individual për të zhbërë një masë individuale sigurimi.

Pse ka ndërhyrë në një çështje të drejtësisë, pse nuk e shkarkon Ballukun? Kuvendi mund të ketë vullnet, por kërkohet procedura përkatëse dhe propozimi i Kryeministrit. Të vijë të japë llogari pse e ka të domosdoshme për të mbajtur të pandehur një zv/kryeministre,” tha Bardhi.

Kërkesa u rrëzua me 74 vota kundër dhe 17 pro.

Scroll to Top