PD kërkon komision hetimor për marrëdhënien Rama-McGonigal
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar. Ky komision do të verifikojë ligjshmërinë e veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.
Objektivi kryesor i komisionit do të jetë verifikimi i ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në lidhje me McGonigal, si dhe vlerësimi i nevojës për masa ligjore për të garantuar integritetin dhe ndershmërinë në raportet me zyrtarë të huaj.
Komisioni propozohet të ketë 11 anëtarë, me një afat veprimtarie prej 6 muajsh. Sipas Partisë Demokratike, Kushtetuta parashikon detyrimin e Kuvendit për të miratuar ngritjen e komisionit nëse ai kërkohet nga të paktën 35 deputetë.
Kërkesa, e drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, referon akt-padinë e dorëzuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Charles F. McGonigal, ku citohen veprimtari të zyrtarëve shqiptarë, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, ish-funksionarin e Sigurimit të Shtetit Agron Neza dhe ish-zyrtarin e lartë Dorian Duçka.
Në përmbajtje të akt-padisë, përshkruhen marrëdhëniet financiare dhe takimet mes McGonigal, Neza dhe Duçka, si dhe lidhja e tyre me dhënien e licencave për nxjerrjen e naftës në Shqipëri. Gjithashtu, përmenden informacione mbi lobistin amerikan të Partisë Demokratike dhe zhvillimin e një hetimi penal.
Dokumentet zyrtare dhe publikimet mediatike, sipas PD-së, ngjallin dyshime të arsyeshme për ligjshmërinë e veprimeve të zyrtarëve publikë shqiptarë në raport me ish-agjentin e FBI-së. Për këtë arsye, deputetët nënshkrues kërkojnë ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar.
Neni 77 i Kushtetutës dhe Neni 25 i Rregullores së Kuvendit parashikojnë të drejtën e pakicës parlamentare për të kërkuar dhe detyrimin e Kuvendit për të ngritur komisione hetimore për çështje të veçanta.