PD: Shqipëria nuk është çifligu i Ramës, kërkon transparencë për 20 qendrat e reja për emigrantët
Partia Demokratike ka kërkuar transparencë lidhur me projektin e qeverisë Rama për të transformuar Shqipërinë në një qendër masive pritëse për emigrantët e huaj nga Azia.
Agjencia për Qeverisjen Vendore ka miratuar një projektvendim për ngritjen e 20 qendrave pritëse për emigrantë. Deputeti i PD-së, Ivi Kaso, e ka cilësuar këtë projekt si “të turpshëm” gjatë një deklarate për mediat nga selia e PD-së.
“Shqipëria nuk është çiflig i Edi Ramës, që e vendos në dispozicion të të huajve territorin e saj”, theksoi Kaso, i cili është drejtues politik në qarkun e Korçës, ku sipas planit pritet të ngrihen 10 qendra akomodimi.
Ai kërkoi që Rama të shpjegojë publikisht nevojën për këto qendra pritëse.
Deputeti Kaso detajoi se në qarkun e Korçës janë parashikuar 10 qendra akomodimi në Bilisht (në një sipërfaqe prej 11.500 m²), Kolonjë, Maliq, Pogradec dhe Pustec. Në qarkun e Vlorës, qendrat do të ngrihen në qytet, në konvikte, në pallatin e sportit ‘Flamurtari’, në shkollën e Marinës dhe në Novoselë, duke prekur edhe Himarën, Delvinën dhe Konispolin. Në bashkinë e Gjirokastrës do të përdoret zona e qytetit ku kanë qenë Rezervat e Shtetit.
Ai shtoi se në një kohë kur fermerët e Korçës, Devollit dhe Maliqit vuajnë mungesën e financimeve dhe pasojat e përmbytjeve, Edi Rama planifikon të shpenzojë 7 deri në 10 milionë euro për ngritjen e këtyre qendrave pritëse për emigrantët nga vende të treta.
Në deklaratën e tij, Kaso përmendi edhe ngritjen e dy qendrave të emigrantëve në Lezhë dhe akuzoi kryeministrin Rama se po e shtrin këtë projekt edhe në jug të vendit. Ai e konsideroi projektin si një përpjekje për të ripopulluar Shqipërinë me kombësi të tjera, duke iu referuar “të huajve që vijnë nga traumat e tyre”.
Sipas tij, ky plan “anti-kombëtar” do të zgjerohet me 20 qendra në Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, me një kapacitet deri në 8 mijë persona. Ai pohoi se ky projekt është bërë “në ilegalitet të plotë”, duke vënë në dispozicion territore dhe ndërtesa publike.
Kaso kërkoi shpjegim publik nga Rama përse ka nevojë për qendra pritjeje në zona turistike si Vlora dhe Himara, të cilat sipas tij, nuk janë prekur nga flukset e emigracionit.
Deputeti i PD-së e lidhi këtë vendim me korrupsionin dhe hajdutërinë, duke e cilësuar si një “pazar personal për të ruajtur mbështetjen ndërkombëtare që po e humbet pas demaskimit nga opozita dhe mediat e huaja”.
Ai theksoi se Shqipëria nuk është çiflig i Edi Ramës, duke shtuar se “krizat qeverisëse, drama e shpopullimit, imazhi prej narkomani dhe narko-kryeministri që po përhap shtypi ndërkombëtar, nuk përmirësohen me makijazhe si humanist dhe globalist”.
Partia Demokratike deklaroi se nuk është kundër të huajve që vijnë nga zona të rrezikuara, por argumentoi se Shqipëria nuk ka kapacitetet për të përballuar valë të tilla emigracioni të kontrolluar. PD ngriti gjithashtu shqetësimin se Shqipëria nuk mund ta përballojë barrën e rëndë të ksenofobisë që mund të sjellin këto veprime, duke shtuar se Rama, për të përmirësuar imazhin e vet, po dëmton vendin dhe të ardhmen e shqiptarëve.
