PD prezanton platformë kundër shpopullimit masiv

Berisha prezanton platformën e PD-së kundër shpopullimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po mban një konferencë për shtyp nga selia blu, ku u shpreh se një nga shqetësimet kryesore me të cilat përballet sot populli shqiptar është shpopullimi.

Ai ka prezantuar një platformë të përpiluar nga PD, e cila synon luftimin e shpopullimit dhe nxitjen e lindshmërisë. Sipas Berishës, këto masa duhet të fillojnë të zbatohen që me buxhetin për vitin e ardhshëm.

“Shpopullimi masiv i Shqipërisë përbën goditjen më të rëndë ekzistenciale që kombi shqiptar ka marrë në të gjithë historinë e tij të gjatë. Kurrë ndonjëherë, treguesit themelorë të popullsisë të këtij vendi nuk kanë rënë brenda 10 viteve një shekull. Nuk është regjistruar kurrë një katastrofë e tillë demografike, siç është regjistruar në 10 vitet e qeverisjes së Edi Ramës 2014-2024. Lindshmëria në Shqipëri sot është e barabartë me lindshmërinë që kishte kur shqiptarët ishin 700 mijë banorë, 100 vite më parë.”

Ai shtoi: “Jam ndalur shumë herë në këtë akt të planifikuar që përbën një gjenocid të vërtetë ndaj shqiptarëve, në kuptimin e krijimit të kushteve për largimin nga vendi i tyre. Konventa e OKB, neni 3 i saj, e shpall këtë rrethanë si një rrethanë të gjenocidit të heshtur, paqësor, që mund të ushtrohet ndaj një populli. Ky gjenocid tejkalon në përmasat e veta çdo lloj katastrofe demografike që shqiptarët kanë përjetuar nga Mesjeta gjer sot, qoftë nga pushtimet, qoftë nga epidemitë e murtajës dhe epidemitë e tjera të rënda.”

“Sot është emergjencë absolute vendosja e një platforme, e cila të mund të shënojë kthesën e treguesve demografikë të popullit shqiptar, në mënyrë që ky popull të mos shkojë drejt zhdukjes së pashmangshme me këta tregues që ka sot. Nga viti 2018 gjer sot, vdekjet në Shqipëri janë qartësisht më të larta se lindjet. Po të shtojmë këtu edhe largimet masive nga vendi, boshatisja e Shqipërisë është e garantuar.”

PD propozon masat e mëposhtme:

  • Fillimi nga ky vit, me buxhetin për fëmijët.
  • Bonusi mujor për fëmijët e lindur: 50 euro për çdo fëmijë deri në moshën 6 vjeç, dhe 60 euro deri në moshën 18-vjeçare.
  • Për të dhënë një përgjigje kësaj katastrofe ekzistenciale demografike, PD propozon:
    • Fëmija i parë të ketë një trajtim mujor 1 mijë euro në vit.
    • Fëmija i dytë 2 mijë euro në vit.
    • Fëmija i tretë 3 mijë euro bonus në vit.
    • Fëmija i katërt dhe më shumë, 5 mijë euro bonus në vit.
  • Të gjitha këto, të përllogaritura për 30 mijë lindje në vit, shkojnë 60 milionë euro, pasi janë përllogaritur edhe kostot e kësaj ndërhyrje.
  • Bonusi mujor për fëmijët e lindur, për vitin 2026, të jetë 50 euro për çdo fëmijë gjer në moshën 6 vjeç dhe 60 euro për çdo fëmijë nga mosha 6 deri në 18-vjeçare. Vlera vjetore për 30 mijë lindje arrin në 15 milionë euro.
  • Zero pagesë për fëmijën e tretë apo më shumë për çerdhe dhe kopshte; shteti do të paguajë të gjitha kostot. Me këtë mbështeten të paktën 15 mijë fëmijë në vit, dhe shuma e nevojshme nga buxheti është 5 milionë euro.
  • Rimbursim i ilaçeve për fëmijën e tretë apo më shumë në masën 120 euro në vit. Të paktën 8 mijë fëmijë përfitojnë nga kjo, dhe shuma vjetore për rimbursim është 1 milion euro.

“Të gjitha këto të përllogaritura për 30 mijë lindje në vit, shkojnë 60 milionë euro sepse ne kemi përllogaritur edhe kostot e kësaj ndërhyrje”, u shpreh Berisha.

Scroll to Top