Propozim “radikal” në mbledhjen e PD-së: Deputetët të hyjnë në grevë urie, bashkë me familjarët e tyre
Janë zbardhur detaje nga diskutimet brenda mbledhjes së kryetarëve të degëve të Partisë Demokratike, të cilët u mblodhën me ftesë të kryetarit Sali Berisha. Sipas informacioneve, në mbledhje është propozuar që greva e urisë të përfshijë jo vetëm deputetët, por edhe familjarët e tyre.
Një nga kryetarët e degëve shprehu shqetësimin për mungesën e besimit të qytetarëve ndaj politikës në përgjithësi dhe PD-së në veçanti, duke pyetur se çfarë duhet bërë për ta rikthyer këtë besim.
“Janë provuar protestat, por kanë rezultuar thjesht pelegrinazhe. Shumë demokratë janë larguar drejt maxhorancës dhe nuk mund t’u vihet faji në këtë situatë. Mendoj se zgjidhja e mundshme për të rikthyer besimin te PD është sakrifica jo vetëm e deputetëve, por edhe e familjarëve të tyre. Të hyjnë në grevë para Kuvendit bashkë me familjet e tyre. Përndryshe, si mund të rikthehet besimi kur të gjitha format janë provuar?”, deklaroi ai.
Sali Berisha nuk i hodhi poshtë këto propozime, por u shpreh në favor të një proteste javore para Kuvendit.
“Keni të drejtë si në parashtrim, ashtu edhe në propozime. Nuk i hedh poshtë asnjë nga këto, por jemi në një regjim që po na mbyll frymën. Duhet protestë në formatin e asaj para bashkisë, një herë në javë para Kuvendit. Domethënë, në çdo seancë të ketë protestë para Kuvendit”, tha Berisha.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të ngrihen në protesta kundër qeverisë Rama, duke theksuar se protesta është e vetmja mënyrë për të shpëtuar vendin nga “pushtimi i egër i brendshëm”.
“Përveç protestës, kryengritjes paqësore, asnjë mjet tjetër nuk do mund të shpëtojë Shqipërinë nga ky pushtim i egër i brendshëm. Shqipëria, në disa aspekte të çështjes njerëzore, ka shkuar 100 vite pas për shkak të emigracionit. Që nga viti 2018 e këtej, vdekjet i kemi dyfish të lindjeve. Të bëjmë atë që kanë bërë kombet kundër diktaturave, të ngrihemi. Ka vetëm një rrugë: qëndresa jonë, protesta jonë, asnjë rrugë tjetër. Shqiptarët presin nga ne përgjigje.”
Pas mbledhjes me krerët e degëve të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se Shqipëria ndodhet në një situatë ku “është instaluar një regjim”. Ai akuzoi qeverinë për dhunimin masiv të votës së lirë të shqiptarëve dhe shkeljen e ligjit ndërkombëtar, si dhe për përdorimin e potencialeve të shtetit për të “grabitur votën e qytetarëve”.
Berisha denoncoi gjithashtu lidhjet me grupe kriminale dhe aleatët e qeverisë, të cilët sipas tij pengojnë shqiptarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm. Sipas Berishës, ky regjim synon të qëndrojë në pushtet në mënyrë të pandalshme dhe të programuar, duke e bërë votën e qytetarëve të pavlerë. Ai theksoi se çdo kusht dhe çmim përdoret për të mbajtur pushtetin, duke dëmtuar rëndë procesin demokratik në vend.
“Jemi në një situatë ku është instaluar regjimi. U shpalos me shëmtinë e tij dhunimi masiv i votës së lirë të shqiptarëve, shpalosi me të gjithë fuqinë e tij dhunimin e ligjit ndërkombëtar, apo përdorimin e potencialeve të shtetit për të grabitur votën e shqiptarëve. Shpalosi hanxharët e bandave kriminale, të aleatëve të qeverisë, që mos të lejonin shqiptarët të votonin të lirë. Dëshmoi se në mënyrë të programuar, të pandalshme, me çdo kusht dhe çmim, ai do të qëndrojë në pushtet dhe se vota e shqiptarëve është diçka e pavlerë për të.”
