Vetëm një e treta e pensionistëve përfiton rritjen më të madhe të pensioneve.
Pas 12 vitesh në pushtet, socialistët kanë rikthyer strategjinë e vjetër elektorale lidhur me rritjen e pensioneve. Me premtimin kryesor për zgjedhjet parlamentare: “Në Shqipërinë 2030 pensioni mesatar të jetë 400 euro për ata që kanë paguar sigurime të plota, pensioni minimal për të gjithë të jetë 200 euro”, ata siguruan 83 mandate.
Ky angazhim u përfshi edhe në programin qeverisës “Shqipëria 2030”. Pak muaj pas zgjedhjeve, ndërsa nisi diskutimi për projekt-buxhetin e vitit 2026, kryeministri Edi Rama njoftoi në rrjetet sociale një rritje të pensioneve, duke filluar nga janari 2026. Sipas tij, rritja do të ishte mujore dhe e ndarë sipas kategorive. Kryeministri deklaroi se këto shifra do të dyfishoheshin në 2027, trefishoheshin në 2028 dhe katërfishoheshin në 2029, për të arritur objektivin final të pensionit mesatar prej 400 eurosh.
“Petulla me ujë”
Faik Xhani, ish-mësues nga Mati dhe ish-drejtues i Shoqatës së “Pensionistëve të Shqipërisë”, i njohur për problemet e shtresës që ka përfaqësuar, shprehet kritik.
“Këto janë parlamentarë xhepash, jo shërbëtorë të popullit”, thotë Xhani, duke ilustruar shpenzimet minimale mujore të një pensionisti.
“Të moshuarit janë me sëmundje, ju duhen lekë për ilaçe, për ushqim, për drita, ujë, telefon… Mishin e kanë harruar se çfarë është. Po rrofshin emigrantët, shyqyr që janë fëmijët se do hanim njëri-tjetrin”, vijon 77-vjeçari.
Ai shton se kryeministri po bën “petulla me ujë” kur flet për rritjen e pensioneve. “Nëse nuk jep edhe bonusin e fundvitit, ai vetëm derdh ujin në lakra dhe asgjë nuk bën. Edhe indeksimin. Po i dha të gjitha këto është mirë, jo se na plotëson nevojat, por është diçka”, përfundon pensionisti.
Faiku, me 42 vite punë, përfiton aktualisht 17,000 lekë pension të pjesshëm.
Sa pensionistë preken dhe kush përfiton më shumë?
Aktualisht, pensioni mesatar urban është 19,409 lekë, ndërsa pensioni mesatar rural është 11,709 lekë. Sipas angazhimit të qeverisë, deri në fund të vitit 2029, pensioni mesatar urban i plotë do të arrijë 40,000 lekë, teksa pensioni minimal pritet të jetë 20,000 lekë.
Në Shqipëri ka 745,137 pensionistë. Nga ky total:
- 287,656 marrin pensione të plota.
- 343,763 marrin pensione të pjesshme.
- 113,718 llogariten me pensione familjare dhe invaliditeti.
Kategoria e pensionit urban përbën grupin më të madh të pensionistëve në vend, me 552,512 persona. Nga ky grup, vetëm një pjesë e pensionistëve me kontribut të plotë pune (mbi 38 vite) do të përfiton rritjen më të lartë.
- 241,431 janë pensione të plota urbane.
- 311,081 janë pensione të pjesshme urbane.
Sipas të dhënave të siguruara nga Faktoje.al, aktualisht rezultojnë 241 mijë pensionistë me vite të plota pune në qytet, pra më pak se një e treta e pensionistëve në vend. Kjo kategori do të marrë një rritje prej 1,800 lekësh në muaj ose 21,600 lekë në vit. Ndërkohë, shumica e pensionistëve, ata me pensione të pjesshme, do të marrin vetëm 800 lekë shtesë, një rritje modeste në raport me inflacionin dhe nivelin aktual të pensioneve.
“Mekanizmi i indeksimit dhe shpërndarjes së shtesave fokusohet tek një grup i vogël përfituesish, duke krijuar efekt iluziv të përparimit, ndërsa shumica e pensionistëve mbeten me rritje që nuk kanë ndikim të matshëm në standardin e jetesës”, argumenton eksperti për ekonominë dhe financat Eduard Gjokutaj për Faktoje.al.
Në zonat rurale shifrat janë më të ulëta. Totali i pensionistëve në fshat është 87,907, nga të cilët 46,225 me pensione të plota dhe 32,682 me pensione të pjesshme. Këta përfitojnë rritje prej 1,000 lekësh.
“Në terma praktikë, plani nuk siguron konvergjencë të qëndrueshme drejt pensionit mesatar të premtuar dhe shpërblen vetëm një minorancë, duke lënë pjesën më të madhe të të moshuarve me përfitime simbolike,” përfundon Gjokutaj.
Përfundim
Ndërsa premtimi për rritjen graduale deri në katërfishim krijon pritshmërinë e një transformimi të madh, të dhënat tregojnë se rritjen më të lartë e përfiton pjesa më e vogël e pensionistëve, ndërsa për të tjerët shtesa mbetet simbolike.
Aktualisht, pensioni mesatar urban është 19,409 lekë, ndërsa pensioni mesatar rural është 11,709 lekë. Vlera prej 400 eurosh është e arritshme vetëm për pensionet e plota, që përbëjnë më pak se një të tretën e pensionistëve në vend. Për shumicën e të moshuarve, ky objektiv mbetet i paarritshëm.
