Pensionistët në radhë për abonetë falas, Braçe: Vuajtje e përmuajshme e të moshuarve
Deputeti i PS, Erion Braçe, i cili prej kohësh ka shprehur ambicien për të kandiduar si kryetar i Bashkisë së Tiranës, vijon të publikojë video nga terreni për të dëshmuar vështirësitë e përditshme të qytetarëve. Sot ai ka publikuar një video pranë shkollës “Sabaudin Gabrani”, ku dhjetëra pensionistë presin të marrin abonenë falas.
Në reagimin e tij në rrjete sociale, deputeti socialist kritikon situatën dhe menaxhimin e shërbimeve në kryeqytet.
REAGIMI I PLOTË:
Live tek shkolla Sabaudin Gabrani. Këta në radhë nuk janë gjyshërit që presin nipërit e mbesat të dalin nga shkolla, si çdo ditë. Janë në radhë e po presin të marrin abonenë falas si çdo muaj. Vuajtja e përmuajshme në fund të saj është kjo radhë.
Ka edhe më. Astiri, një qytet më vete i ndërtuar nga e para, nuk paska një pikë të tillë. Të moshuarit nga Astiri duhet të vijnë këtu tek 21-shi, majtas e djathtas, për të marrë abonenë.
I gjeta djemtë e vajzat e bashkisë këtu duke shpërndarë ujë, por ky nuk është lehtësim. Një grua nga Astiri më tha se kishte një kist në kokë e nuk mund të qëndronte aty. Kuptoni që kjo moshë vuan nga sëmundje kronike dhe uji nuk e lehtëson fare!
