Lëvizja Bashkë dhe pensionistët protestojnë kundër pabarazisë sociale
Lëvizja Bashkë, së bashku me pensionistë të Tiranës, protestuan të enjten përballë godinës së Parlamentit. Ata kërkuan rritjen e pensioneve dhe miratimin e minimumit jetik, premtime të cilat, sipas tyre, janë lënë në harresë nga qeveria aktuale.
Të enjten paradite, në ditën e seancës parlamentare, aktivistë të Lëvizjes Bashkë dhe pensionistë të Tiranës tubuan përballë Parlamentit, duke ngritur zërin për kërkesat e tyre, të cilat kanë mbetur të pandëgjuara prej vitesh.
Ata kërkuan:
- Rritjen e premtuar të pensioneve.
- Miratimin e minimumit jetik.
- Çmime më të arsyeshme për të përballuar jetesën.
- Miratimin e statusit të minatorit.
Qani Shino, një nga pensionistët pjesëmarrës në protestë, u shpreh: “Ne kemi ardhur të ngremë zërin për minimumin jetik, për shtresat në nevojë, për statusin e minatorit, për çështjet sociale.” Ai u ankua për kostot e papërballueshme të jetesës, duke shtuar: “Edhe me këto çmime që janë rritur, as për njëmijë vjet fëmijët tanë nuk blejnë dot një shtëpi.”
Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Partia Socialiste premtoi rritjen e pensionit mesatar deri në 400 euro. Redi Muçi, deputet i Lëvizjes Bashkë, deklaroi se këto premtime kanë mbetur të paplotësuara.
“Në fushatë elektorale premtoi pensionin mesatar 400 Euro, teksa aktualisht pensioni mesatar është 180 mijë lekë të vjetra,” tha Muçi, duke iu referuar premtimeve të kryeministrit Rama. Ai shtoi: “Ai i indeksoi pensionet vetëm me 5 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që me përllogaritjet sipas premtimit duhet t’i kishte indeksuar me 50 mijë.”
Edhe aktivistë të tjerë të Lëvizjes Bashkë shprehën pakënaqësinë e tyre për pabarazinë e theksuar në shoqërinë shqiptare.
Klodi Leka, aktivist i Lëvizjes Bashkë, tha: “Ky parlament që i ka pesëfishuar pagat vetes, ndërkohë i ka lënë qytetarët shqiptarë në varfëri dhe mjerim të përgjithshëm.” Ai shtoi: “Ky shtet po i detyron qytetarët nga veriu në jug që të rreshtohen përpara këtij Parlamenti, pasi i ka lënë në harresë.”