Pensionistët Shqiptarë do të Përfitojnë 150 Milionë Euro nga Buxheti

Malaj: Llogaria për pensionistët në BSH nis me 150 milionë euro

Teprica në buxhetin për vitin 2025 do të transferohet plotësisht në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë dhe do të përdoret sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave. Kështu deklaroi sot Ministri i Financave, Petrit Malaj, në Komisionin e Ligjeve, ku u diskutua Akti Normativ Nr.11 për Buxhetin 2025.

Ministri nuk specifikoi shifra për tepricën e vitit 2025, por analizimi i të dhënave zyrtare të treguesve fiskalë tregon se rreth 1 miliardë lekë nuk kanë mundur të alokohen deri në ditët e fundit të vitit të kaluar.

“Nga një vlerësim paraprak i Ministrisë së Financave, shuma minimale që parashikojmë të jetë e papërdorur dhe që do të kalojë në llogarinë e Bankës së Shqipërisë, është minimalisht 150 milionë euro”, tha ai.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit me rreth 4% në vitin 2024, ndërsa gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, rritja ishte 3.7%, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet.

“Ne parashikojmë që për vitin 2025 rritja ekonomike të jetë në masën 3.9%”, shtoi ai.

Lidhur me Borxhit Publik, pritet të rezultojë nën 54% të PBB-së në fund të vitit 2025, duke regjistruar kështu nivelin më të ulët të borxhit që prej vitit 2010. Huamarrja Neto dhe Shpenzimet e parashikuara për Interesa nuk kanë pësuar ndryshime nga rishikimi më i fundit i Buxhetit.

Sa i përket të ardhurave nga tatimet dhe doganat, sipas të dhënave paraprake të vitit 2025, ato u realizuan në vlerën 496 miliardë lekë, rreth 39 miliardë lekë më shumë se viti 2024. Pra, me rreth 400 milionë euro më shumë se viti 2024, janë të ardhurat e realizuara nga tatimet dhe Doganat. Realizimi i planit vjetor ishte në masën 99.3%.

Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2025, u realizuan në vlerën rreth 172 miliardë lekë, me një rritje prej 16.7 miliardë lekësh ose rreth 170 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2024, që përfaqëson një rritje dyshifrore prej 11%. Në krahasim me planin e periudhës, kemi një tejkalim të planit me rreth 711 milionë lekë.

Në total, të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sipas të dhënave paraprake, janë në vlerën 668 miliardë lekë, rreth 55.8 miliardë lekë më shumë të ardhura të arkëtuara krahasuar me vitin 2024. Pra, janë rreth 560 milionë euro më shumë të ardhura të arkëtuara në krahasim me vitin 2024. Masa e realizimit në planin vjetor ishte 99.6%.

“Nëpërmjet këtij Akti Normativ ne parashikojmë transferimin e të gjitha fondeve të papërdorura nga ministritë apo institucionet buxhetore. Këto fonde do të kalojnë në llogarinë e posaçme pranë Bankës së Shqipërisë, për skemën e pensioneve, që më tej do të përdoren me Vendim të Këshillit të Ministrave, duke mbështetur politikat e qeverisë për skemën e re të pensioneve”, përfundoi ai.

Scroll to Top