Pep Guardiola: Pushim pas City, kohë me familjen e “marrëzira”

Plani i Pep Guardiolës për të ardhmen: Dua të bëj ‘marrëzira’

Pas 10 vjetësh, trajneri spanjoll Pep Guardiola i ka dhënë lamtumirën Manchester Cityt, klub ku ka fituar 20 trofe, duke mbyllur kështu kapitullin më të rëndësishëm të karrierës së tij.

Duke u shprehur rreth të ardhmes, Guardiola u shpreh:

“Nuk kam ndonjë plan konkret për të ardhmen time. Për momentin do të ndalem për të pushuar dhe do të përpiqem të rikuperoj kohën që kam humbur me fëmijët e mi”, tha ai.

Trajneri spanjoll shtoi më tej:

“Fëmijët janë rritur dhe ka shumë gjëra që nuk i kam bërë dhe dua t’i bëj. Kështu që nuk mendoj për asnjë sekondë për asgjë që lidhet me futbollin për vitet e ardhshme. Duhet të pushoj, duhet të reflektoj. Pas kësaj, do të shohim se çfarë ndodh. Nuk kam një plan, është thjesht dëshira që të pushoj dhe të bëj shumë gjëra që nuk i kam bërë në të kaluarën, dua të bëj… marrëzira”, theksoi Pep.

Guardiola ka mbyllur me emocione të mëdha aventurën e tij 10-vjeçare te City, duke pranuar se ndihet “shumë i lodhur”.

“Mund të them pa frikë se kam dhënë gjithçka. Kujtimet që kam nga Barcelona dhe Bayern Munich janë të jashtëzakonshme, por kujtimet që marr nga këto 10 vite këtu janë më shumë se kudo tjetër”, tha ai.

Spanjolli theksoi se për të, pikërisht raportet njerëzore kanë qenë më të rëndësishme se trofetë.

Gjatë periudhës së tij me “Citizens”, Pep fitoi plot 20 trofe, përfshirë gjashtë tituj të Premier League angleze, një UEFA Champions League, tre FA Cup dhe pesë Kupa të Ligës.

Tani Guardiola pritet të marrë një pushim të gjatë nga futbolli, pas një periudhe të jashtëzakonshme, por edhe shumë të lodhshme në krye të skuadrës nga “Etihad”.

Scroll to Top