“`html
Hakmarrja e Ballukut? Kush i nxori përgjimet për Carlo Bollinon
Një pasazh nga një dosje e ruajtur me fanatizëm ka “rrjedhur”, duke njollosur botuesin Carlo Bollino dhe duke dëshmuar një urdhër nga Kryeministri Rama. A është kjo pjesë e strategjisë së të pandehurës, ku i mbyturit mund të marrë me vete edhe të tjerë?
Në mes të hermetizmit ekstrem me të cilin po ruhet dosja e Belinda Ballukut në kasafortën e Kuvendit, dhe çudisë se si ndryshe nga rastet e mëparshme, për këtë të pandehur po “rrjedhin” shumë më pak informacione se për paraardhësit e saj, publiku u surprizua me një fletë nga dosja, ku bëhej fjalë për botuesin italo-shqiptar, Carlo Bollino.
Në atë pasazh, i cili duket se ishte nxjerrë me qëllim, Bollino shfaqej duke i kërkuar favore financiare ministres së Infrastrukturës, për një të dërguar të tij, biznesmenin Rais Petrela, me të cilin dyshohej se kishte përfitime të përbashkëta. Në mesazhin, të cilin Bollino ia kishte dërguar në italisht ministres, pretendohej se ajo nuk po e mbante premtimin për të disbursuar paratë për këtë biznesmen, përmes drejtorisë së rrugëve.
Nëse lexohet me kujdes pasazhi, gjithçka është në kuadrin e strategjisë për blerjen e mediave me para në dorë. Duke i përcjellë SMS-në e botuesit të Report TV dhe Shqiptarja.com, vartëses së saj, Ervis Berberi, Balluku shkruante: “Çunat e tjerë po i mbulojnë nga xhepi i vet mediat. Ty një të kam lënë, e bëre çorap.”
Carlo Bollino, i cili me sa duket mbulohej me para publike dhe jo nga “xhepat e çunave”, kërkonte nga drejtoria e rrugëve rreth 700 mijë euro për biznesmenin Petrela. Dyshimi është se botuesi mbyllte pazarin dhe ndante paratë me biznesmenin. Kjo del qartë nga biseda që zhvillojnë Balluku me Berberin:
- Belinda Balluku: “Therrite ate plehren (Rais Petrelën) që e perfaqeson (Bollinon) dhe thuaji, kjo eshte skema çfare halli ke.. shko sqaro Carlon… thuai mos shkruaj me tek min… ose pastaj harroje bashkepunimin.”
- Evis Berberi: “Ok Po është ky plehra që shtyn Carlon se do jetë në hall.”
Nga e gjithë biseda duket haptazi se italo-shqiptari Bollino ka ndërhyrë në qeveri për paratë që duhet të marrë biznesmeni, se ashtu siç shkruan Balluku, ai ka rënë dakord edhe me kryeministrin Rama për këtë favor dhe se ai ankohet te ministrja se pakti nuk është mbajtur nga ana e saj, pasi pagesat janë shtyrë për tre vjet dhe një punë e re nuk ka nisur fare.
Deri këtu nuk ka ndonjë “scoop” të madh. Që kur mori pushtetin kjo qeveri, Bollino ka përfituar që nga “bunk-art” e deri tek urdhërat e Veliajt për të shtuar reklamën e inceneratorëve, përpara zgjedhjeve.
Ajo që mbetet mister është se përse nga dosja voluminoze që po ruhet me fanatizëm, gjëja e parë që doli ishte pasazhi ku njollosej bosi i Report TV dhe Shqiptarja.com? Një hipotezë për të zgjidhur këtë mister lidhet me kthimin e pllakës editoriale të mediave të Bollinos. Që kur u pa se SPAK po i afrohej, italo-shqiptari filloi ta lëshojë ish-bamirësen.
Doza e lajmeve kritike u rrit. Dhe qershia mbi tortë u bë një editorial me emër i Bollinos, ku Ballukut i kërkohej në mënyrë të drejtpërdrejtë dorëheqja, sepse përndryshe “…”. Kjo thirrje e hapur për largim, e shoqëruar edhe me ndryshimin e kursit nga mediat kombëtare, që nuk veprojnë pa urdhër të shefit, ka çuar në skaj paranojën e zv/kryeministres. Ajo, duke njohur mënyrën se si paguhen dhe si “cicërojnë” mediat e mëdha, ka dyshuar se mos ka pasur një direktivë nga Rama për të përgatitur terrenin për dorëheqjen e detyruar të saj.
Pikërisht me këtë moment përkon edhe “rrjedhja” e të vetmit dokument të publikuar nga dosja e fundit, ai që njollos keqas Carlo Bollinon. A është një koincidencë? Madje fiks pasi gazetari botoi shkrimin ku kërkoi largimin e saj? Vështirë të besohet. Aq më të fortë e bën këtë dyshim edhe fakti se dosja Balluku është ruajtur në kasafortë, nuk i jepet as deputetëve të opozitës dhe e vetmja që e ka marrë atë në duar është Balluku dhe avokatët e saj.
Pra, a mos ka qenë ajo që ka përcaktuar daljen e kësaj flete të rëndë për Bollinon, duke dhënë mesazhin se “po kërkoni kokën time, do t’ju marr të gjithë me vete”? A nuk thuhet pikërisht në këtë faqe se ai “ka rënë dakord me Ramën”? A mund të shihet ky edhe si një sinjal për kryeministrin, se unë këto gjëra i kam bërë me bekimin tënd?
Për këto akuza ende nuk ka fakte. Por logjika ta do që me moton: “i mbyturit të mbytin”, Belinda Balluku po luan kartat e fundit, jo se emocionalisht nuk duron dot faktin se ata që i ka ushqyer me para, tani po shkruajnë se duhet të ikë, por për t’u kujtuar atyre se krimet i kanë kryer bashkë, dhe se nuk mund të lajnë duart kollaj me të.
“`
