Përleshje të reja mes forcave të Pakistanit dhe Afganistanit kanë shpërthyer në një zonë të largët kufitare në veri-perëndim. Mediat shtetërore pakistaneze akuzuan forcat talibane për “zjarr të paprovokuar”, ndërsa forcat pakistaneze u kundërpërgjigjën.
Sipas një deklarate të një zëdhënësi të Talibanëve afganë, më shumë se 10 civilë janë vrarë dhe 100 të tjerë janë plagosur gjatë këtyre përleshjeve. Përplasjet ndodhën gjatë natës në rajonin afgan të Spin Boldak, ku u raportua përdorimi i mortajave.
Një zëdhënës i inteligjencës së qytetit konfirmoi se 15 civilë humbën jetën, një bilanc i cili u mbështet edhe nga një zyrtar në spitalin e zonës Spin Boldak, duke shtuar se më shumë se 80 gra dhe fëmijë janë plagosur.
Zëdhënësi i qeverisë talibane akuzoi forcat pakistaneze për sulme në territorin afgan, duke përdorur armë të lehta dhe të rënda. Sipas tij, 12 civilë janë vrarë dhe rreth 100 të tjerë janë plagosur.
Ky përshkallëzim i tensioneve vjen pas kërkesave të Islamabadit që qeveria talibane të marrë masa kundër militantëve që po shtojnë sulmet brenda Pakistanit, duke pretenduar se ata veprojnë nga strehimore në territorin afgan. Talibanët mohojnë praninë e militantëve pakistanezë në Afganistan.
Përleshjet nisën të shtunën në mbrëmje, kur Kabuli nisi një operacion në të paktën pesë provinca përgjatë kufirit. Qeveria talibane sqaroi se sulmet ndaj forcave pakistaneze ishin “hakmarrje për shkeljet e përsëritura dhe sulmet ajrore të ushtrisë pakistaneze në territorin afgan”, pas shpërthimeve në Kabul. Islamabadi premtoi një “përgjigje të fuqishme” dhe u raportuan dhjetëra viktima nga të dyja palët.