Reshjet e shiut në Gjirokastër, përmbyten rreth 20 hektarë tokë
Gjatë natës, territori i qarkut të Gjirokastrës është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët.
OSHEE ka njoftuar se vetëm fideri Radio Kordobocë në bashkinë Gjirokastër është jashtë funksioni, ndërsa pjesa tjetër e qarkut furnizohet normalisht me energji elektrike.
Niveli i lumit Vjosa në Përmet është 2.4 metra, kurse në urën e Memaliajt arrin në 3.5 metra.
Në qarkun e Gjirokastrës nuk ka pasur nevojë për evakuimin e banorëve nga banesat dhe as dëmtim të tyre nga reshjet.
Megjithatë, rreth 20 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur. Këto toka janë të kultivuara me vreshta ose të papunuara.
Në bashkinë Libohovë, një masiv dherash ka rrëshqitur, duke bllokuar aksin rrugor Poliçan-Sheper, pranë fshatit Sheper, në njësinë administrative Zagori.
Gjatë kësaj të diele, do të punohet në aksin rrugor Suhë-Poliçan, në vendin e quajtur “shkëmbi i Dallandyshes”, për riparimin e trupit të rrugës. Ky aks rrugor lidh dy njësi administrative, atë të Zagorit dhe Poliçanit.
Në bashkinë Dropull, ditën e sotme do të vijojë puna për vënien në funksion të një rruge që lidh fshatin Glinë me fshatin Nepravishtë.
Nga bashkitë e tjera të qarkut nuk ka raportime për situata emergjente.
