Përmbytjet në vend, kryeministri Rama: Pse nuk më fajësojnë mua edhe për situatën në Itali dhe Greqi?
Situata nga përmbytjet vijon të jetë kritike në disa qarqe të vendit, pas reshjeve të dendura të shiut që nisën të martën dhe zgjatën gjatë gjithë natës. Pamjet nga terreni tregojnë makina të zhytura në ujë mes qendrave urbane, të cilat kaluan në kolaps për shkak të reshjeve të shumta.
Rrugë të mbuluara nga balta dhe inertet, shtëpi dhe biznese nën ujë, automjete të shkatërruara, familje të evakuuara me urgjencë dhe zona të tëra të izoluara nga rrëshqitjet e dheut janë disa nga pasojat e dukshme.
Veliera e përmbytur në Durrës
Në Durrës, bilanci paraprak flet për të paktën 800 banesa të përmbytura dhe mbi 300 persona të evakuuar. Edhe pse situata duket më e qetë sot, problemet mbeten të theksuara në periferi dhe veçanërisht në zonën e ish-Kënetës, ku uji ka hyrë në shtëpitë e banorëve.
Burgu i Durrësit i përmbytur
Uji nuk është tërhequr ende, ndërsa në burgun e Durrësit, oborri dhe kati i parë i godinës vijojnë të jenë nën ujë. Pamjet me gomone brenda institucionit flasin për një situatë të paprecedentë.
Rrugë të përmbytura në Gjirokastër
Gjirokastra paraqitet si një nga zonat më të goditura. Në lagjen “18 Shtatori”, dhjetëra biznese, banesa dhe makina janë dëmtuar rëndë. Lumenjtë dhe përrenjtë kanë sjellë masivisht gurë dhe inerte në rrugë e dyqane, duke krijuar një situatë që banorët e përshkruajnë si apokaliptike. Akset rrugore drejt Kakavijës dhe Valarës janë bllokuar, duke izoluar zona të tëra.
Lezha dhe Kurbini kanë pasur një përmirësim relativ gjatë natës, por Laçi dhe disa fshatra vijojnë të jenë të rrethuar nga uji. Në Kukës, situata është edhe më e rëndë. Dhjetëra fshatra janë të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve masive të dherave. Në njësinë administrative Zapot, të tre rrugët lidhëse me qytetin janë të pakalueshme.
Megjithatë, kësaj situate të vështirë për mijëra shqiptarë, i është shtuar një reagim nga kryeministri Edi Rama, i cili e krahasoi situatën në Shqipëri me përmbytjet në vende të tjera të rajonit dhe Europës. Sipas tij, opozitat në ato vende nuk akuzojnë qeveritë e tyre për menaxhimin e keq të situatës.
“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf”, shkroi Rama.
