Përmbytjet në qarkun e Vlorës: Uji hyn në disa banesa në Novoselë dhe Bishan
Pasojat e përmbytjeve në Vlorë vijojnë të jenë të dukshme në disa banesa. Në njësinë administrative Novosele, rreth 13 banesa janë prekur, ndërsa në fshatin Bishan janë raportuar rreth 15 banesa ku uji ka hyrë në oborre dhe në disa raste edhe brenda ambienteve të shtëpive.
Si pasojë, banorët po punojnë për pastrimin e baltës dhe mbetjeve të lëna nga lumi Vjosë në oborret dhe brendësi të shtëpive të tyre. Shqetësimi kryesor i tyre lidhet me dëmet e shkaktuara në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Ata gjithashtu kërkojnë ndihmë emergjente, veçanërisht ushqim për bagëtitë, pasi nuk kanë mundësi t’i ushqejnë ato vetë.
