Plagosja e Hamza Ukës në Orosh, dalin rezultatet e ekspertizës
Është zbardhur ekspertiza e ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë në Orosh, ku dy persona, të identifikuar si Hamza Uka dhe Julian Cumraku, u ngujuan brenda një banese për orë të tëra, nga ku u qëllua edhe me armë zjarri.
Pas të shtënave me armë, mbeti i plagosur Hamza Uka. Sipas raportimeve, ekspertët kriminalistë kanë konstatuar mbetje baruti në duart dhe rrobat e Ukës.
Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, pas vetëdorëzimit të Ukës dhe Cumrakut, është fiksuar edhe një plumb i qëlluar nga brenda banesës.
Ndërkohë, Policia ende nuk ka sqaruar rrethanat në të cilat u plagos Hamza Uka. Pas dorëzimit, ai u shoqërua për mjekim në spitalin rajonal të Shkodrës, me një plagë plumbi në këmbën e djathtë.
Bëhet me dije gjithashtu se janë sekuestruar kamerat e sigurisë të qytetit në Bashkinë e Fushë-Arrëzit. Në to janë vërejtur Uka, Cumraku dhe një person i tretë, i cili mendohet t’u ketë ndihmuar, por mbetet i paidentifikuar.
Është marrë në pyetje edhe vajza me të cilën ishte takuar Cumraku, por ende nuk dihen detaje se çfarë ajo ka rrëfyer.
Ndaj Hamza Ukës dhe Julian Cumrakut, të dyshuar për akte ekstremiste, prokuroria ka zyrtarizuar vetëm akuzën e armëmbajtjes pa leje. Ende nuk ka siguri lidhur me qëllimin dhe praninë e tyre në banesën ku u gjetën armë, municione, si dhe një flamur të ISIS-it, i cili ishte varur në murin e banesës ku ata qëndronin prej të paktën disa javësh.
