MOSFUNKSIONIMI I PLATFORMËS SELFFCARE DHE E-ALBANIA BLLOKON AKTIVITETIN E BIZNESEVE PËR DY DITË ME RADHË
Shqetësime të shumta janë ngritur nga biznese dhe kontabilistë lidhur me problemet e vazhdueshme në përdorimin e platformës SelfCare, e cila shfrytëzohet për kryerjen e veprimeve administrative online. Për dy ditë rresht, këto platforma kanë rezultuar të paarritshme, duke bllokuar aktivitetin normal të bizneseve.
Si bizneset ashtu edhe kontabilistët raportojnë se gjatë tentativave për t’u aksesuar në sistem, shfaqet mesazhi “Ju lutemi kontaktoni administratorin”, duke e bërë platformën të papërdorshme. Ndërkohë, platforma e-Albania po funksionon me vonesa të theksuara, shfaq gabime ose probleme me lidhjen e internetit.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e kontaktuar nga “Monitor”, ka deklaruar se sistemi po funksionon. Megjithatë, ky problem teknik ka sjellë pezullimin e punës për kontabilistët dhe bizneset, të cilët nuk mund të kryejnë deklarime, aplikime dhe shërbime të tjera ligjore.
Një nga kontabilistët e prekur, Igli Çarçani nga “Çarçani Consulting”, shprehet: “Po përdor SelfCare për të nxjerrë fatura, por më shfaqet mesazhi ‘Kontakto Administratorin’. Ky problem ka disa ditë dhe nuk më lejon të punoj normalisht. Gjithashtu, e-Albania po funksionon shumë ngadalë, ose tregon që nuk ka lidhje interneti, ose shfaq gabim gjatë aplikimit. Para disa ditësh aplikova për hapjen e një NIPT për SHPK, ku regjistrimi u krye për NIPT-in dhe për pronarin përfitues. Megjithatë, pjesa për pronarin përfitues nuk u regjistrua siç duhet. Kam provuar ta rishkruaj pronarin përfitues nga fillimi, por problemi vazhdon.”
Një përfaqësues tjetër biznesi konfirmon situatën: “Ka 2 ditë rresht që sistemi Selfcare (Platforma Qendrore e Faturave e Administratës Tatimore) nuk funksionon. Sapo futen kredencialet, sistemi tenton të hapet, por nxjerr një tabelë penguese ‘Ju lutem kontaktoni administratorin’.”
Kontabilistët po ankohen gjithashtu për pengesa në aktivitetin e tyre të përditshëm dhe vështirësi në përmbushjen e detyrimeve ligjore. Nevila Sadiku, një kontabiliste, tregon: “Kam 3 kontrolle tatimore që më kërkojnë faturat e blerjeve dhe të shitjeve të ditës së sotme, por nuk arrij të nxjerr blerjet. Madje nuk punojnë as programet e shitjeve.”
Sipas kontabilistëve, vonesat ose gabimet në sistem mund të kenë ndikim negativ në operacionet e tyre. Arbërora, një kontabiliste e miratuar, shton: “Është kërkesë e vazhduar në institucione. Ne kemi adresuar kërkesë me shkrim për mosfunksionimin e sistemit.”
Kontabilisti Erjon Saraçi thekson se mosfunksionimi i platformës Self-Care ka krijuar një situatë problematike për profesionistët e kontabilitetit dhe vetë bizneset. Ai shpjegon se ky problem teknik jo vetëm që pengon kryerjen e deklarimeve dhe shërbimeve ligjore, por gjithashtu rrezikon vonesa në përmbushjen e detyrimeve, penalitete financiare dhe cenim të vazhdimësisë së veprimtarisë ekonomike.
Saraçi nënvizon se platforma Self-Care është një mjet thelbësor për funksionimin e sistemit fiskal dhe administrativ, dhe se mosfunksionimi i saj përbën një problem serioz institucional që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Profesionistët dhe bizneset presin një reagim të shpejtë dhe transparent nga institucionet përkatëse për të rikthyer normalitetin.
Edhe individët raportojnë se po hasin probleme me funksionimin e-Albania për shërbimet nëpërmjet platformës së tatimeve.
