Polemikë për foto Vikinge Norvegjeze: çështje fitimesh dhe tone

Plast polemika, foto e Haland & Co. si vikingë bëhet temë diskutimesh

Një fotografi virale e Kombëtares së Norvegjisë, me temë vikinge, realizuar në prag të Kupës së Botës, ka shkaktuar një polemikë të re. Kjo fotografi po përgatitet të shitet si “fotografia më e shtrenjtë në historinë e Norvegjisë”, sipas raportimeve të mediave vendase.

Fotoja e ekipit kombëtar, ku lojtarë si Erling Haland, Martin Odegard dhe Rasmus Hojlund paraqiten si paraardhësit e tyre vikingë në një plazh të Oslos, është realizuar nga fotografi i njohur David Jarrou. Megjithatë, një hetim i medias norvegjeze “VG” ka ngritur pikëpyetje mbi ankandin e planifikuar të një serie kopjesh të kufizuara të fotografisë. Sipas këtyre raportimeve, Federata Norvegjeze e Futbollit (NFF) mund të përfitonë më shumë se 3 milionë paund (39 milionë korona norvegjeze).

Pasi shitja nisi këtë javë, NFF konfirmoi se një pjesë e të ardhurave do t’i dhurohet Shoqatës Norvegjeze të Fëmijëve me Kancer. Megjithatë, “VG” pretendon se ky informacion u bë publik vetëm pas fillimit të shitjeve dhe se federata nuk ka sqaruar se çfarë përqindjeje të fitimeve do të shkojë realisht për bamirësi.

Media norvegjeze ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi të drejtat e autorit të fotografisë. Sipas raportit, si federata, ashtu edhe fotografi David Jarrou dhe galeritë partnere që merren me shitjen e veprës, mes tyre edhe “Maddox Gallery” në Londër, mund të kenë pretendime për një pjesë të fitimeve.

Drejtori komercial i NFF-së, Runar Pahr Andresen, deklaroi për “VG”: “Ne nuk hyjmë në detajet e marrëveshjeve financiare me palë të ndryshme. Ajo që mund të themi është se një pjesë e fitimeve do t’i kalojë Shoqatës së Fëmijëve me Kancer, me të cilën kombëtarja e meshkujve bashkëpunon prej disa vitesh”.

Edhe pse NFF ka bashkëpunuar me këtë organizatë për më shumë se katër vjet, vetë shoqata konfirmoi se nuk kishte dijeni për donacionin e planifikuar deri të martën. Sekretarja e Përgjithshme e organizatës, Trine Nikolajsen, deklaroi: “Shoqata e Fëmijëve me Kancer mësoi sot për këtë iniciativë fantastike dhe është shumë mirënjohëse. Pavarësisht shumës, këto para do të bëjnë diferencë për fëmijët dhe të rinjtë që luftojnë me kancerin, si dhe do të ndihmojnë kërkimet jetike për të rritur numrin e fëmijëve që e mposhtin këtë sëmundje”.

Kopja më e vogël e fotografisë, me përmasa 64 x 91 centimetra, kushton rreth 7.860 paund (100.000 korona norvegjeze), ndërsa çmimi rritet në varësi të madhësisë së printimit. Në total janë nxjerrë në shitje 250 kopje të fotografisë me titullin “The Vikings Are Coming” (“Vikingët po vijnë”).

David Jarrou nuk është i panjohur në botën e futbollit. Ai u bë i famshëm 40 vite më parë kur realizoi fotografinë ikonike të Diego Maradonës duke ngritur Kupën e Botës mbi shpatullat e shokëve të skuadrës pas triumfit të Argjentinës në vitin 1986.

Megjithatë, edhe vetë koncepti i fotos së Norvegjisë u kritikua menjëherë pas publikimit. Disa komentues e cilësuan atë si një imazh me tone nacionaliste dhe aludime të papërshtatshme. Gazetari Markus Slettholm i gazetës Morgenbladet e përshkroi projektin si “shovinist dhe përjashtues”. Ai shkoi edhe më tej në një intervistë për NRK, duke deklaruar se fotografia “të kujton temat për të cilat neo-nazistët flisnin rreth dhjetë vjet më parë”.

Scroll to Top