Policia Durrës kap bastore ilegale, 3 të arrestuar

Kthyen lokalin në pikë për vendosjen e basteve, tre persona në pranga

Policia e Durrësit ka finalizuar një operacion kundër lojërave të paligjshme të fatit, duke arrestuar tre shtetas dhe duke proceduar penalisht një tjetër. Këta persona u kapën në flagrancë duke vendosur baste sportive përmes celularëve në një lokal në lagjen nr. 13 të qytetit.

Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në ambientet e lokalit zhvillohej aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit. Si rezultat, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, ndërhynë dhe konstatuan aktivitetin në flagrancë.

Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan:

  • E. M., 41 vjeç;
  • E. D., 37 vjeç;
  • D. D., 42 vjeç, vëllai i E. D.;

Ndërkohë, u procedua në gjendje të lirë shtetasi E. P., 39 vjeç, i përfshirë në të njëjtin aktivitet të paligjshëm.

Gjatë kontrollit në lokal, policia sekuestroi 4 celularë, të cilët përdoreshin për vendosjen e basteve në llogari aktive online. Të gjithë personat e përfshirë janë banues në Durrës dhe po hetohen për veprimtari të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.

Scroll to Top