Policia shpëton 5 persona nga përmbytjet, mes tyre 100-vjeçar

Policia shpëton pesë persona nga përmbytjet në Dimal, mes tyre gruaja 100-vjeçare

Policia e Shtetit vijon të jetë në gatishmëri të përforcuar për shkak të motit të keq. Shërbimet e Policisë Vendore, Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat iu shkuan në ndihmë banorëve aty ku u kërkua ndihmë. Në zonat më problematike u angazhuan edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe të Delta Forcës.

Edhe gjatë ditës së sotme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Dimal, ndërhynë menjëherë në fshatrat Çiflik dhe Arrëz, duke evakuuar 5 shtetas, ndër të cilët një person 100-vjeçar nga fshati Çiflik.

Shërbimet e Policisë në Devoll iu shkuan në ndihmë banorëve të fshatit Progër, Bashkia Devoll, pasi si pasojë e reshjeve të dendura ka pasur përmbytje. Prej mëngjesit, shërbimet policore të Devollit vazhdojnë kërkimet për gjetjen e një 75-vjeçareje nga fshati Progër, e cila është larguar nga banesa dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor. Dyshohet se ajo mund të jetë marrë nga rrjedha e ujit.

Ndërkohë, në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për t’ju ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës në nevojë. Gjithashtu, specialistët e Policisë në zona janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave dhe administratorët e njësive administrative, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve në rast nevoje.

Scroll to Top