BBC: Çfarë dimë për planin e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
Drafti i planit të paqes SHBA-Rusi është publikuar gjerësisht dhe tani dihet se ai propozon t’i dorëzohen zonat e rajonit industrial lindor të Donbasit, të cilat ende janë nën kontrollin ukrainas. Versionet e fundit të tekstit gjithashtu kërkojnë që Ukraina të zvogëlojë madhësinë e forcave të saj të armatosura në 600,000 njerëz. Por çfarë tjetër dihet rreth planit dhe kush do të përfitojë më shumë prej tij?
Cilat janë pikat kryesore?
Drafti ka 28 pika. Disa janë të pranueshme për Kievin (sovraniteti i konfirmuar, marrëveshje mosagresioni, zgjedhje të parakohshme), por të tjera janë të paqarta dhe pa garanci të forta sigurie. Nuk ka detaje kush i garanton sigurinë Ukrainës.
Dorëzimi i territorit ukrainas dhe shkurtimi i forcave të armatosura
Plani kërkon që Ukraina të tërhiqet nga zonat e Donetskut ende nën kontrollin e saj dhe t’i dorëzojë si zonë të demilitarizuar Rusisë. Kërkon gjithashtu uljen e ushtrisë në 600,000 trupa. Ukraina i refuzon kategorikisht këto kushte si shkelje të sovranitetit.
E ardhmja e Ukrainës, me BE por jo me NATO
Propozohet që Ukraina të heqë dorë nga NATO-ja në kushtetutë, por të ketë akses në tregun e BE-së dhe të jetë kandidate për anëtarësim. Kievi kundërshton çdo kufizim të së drejtës për t’u bashkuar me NATO-n. Drafti ndalon vendosjen e trupave të NATO-s në Ukrainë.
Rikthimi i Rusisë nga izolimi
Parashikohet riintegrimi i Rusisë në ekonominë globale dhe rikthimi në G8. Kjo shihet e pamundur nga Perëndimi, sidomos për sa kohë Putini ka urdhër arresti ndërkombëtar.
Po për asetet e ngrira ruse?
Propozohen 100 miliardë dollarë fonde ruse të ngrira për rindërtimin e Ukrainës, me SHBA që merr 50% të fitimeve. 100 miliardë të tjera duhet t’i shtojë BE.
Çfarë mungon në plan?
Nuk ka kufizime për armët që Ukraina mund të zhvillojë, por parashikohet që çdo goditje ukrainase ndaj Moskës apo Shën Petersburgut e prish marrëveshjen. Nuk kufizon raketat e gjata ukrainase që tashmë po prodhohen.
A është ky një plan paqeje përfundimtar?
SHBA po shtyn për një afat agresiv (deri në Ditën e Falënderimeve), por vetë zyrtarët amerikanë thonë se është vetëm një listë idesh. BE dhe Rusia thonë se nuk e kanë parë zyrtarisht draftin.
A është drafti një listë dëshirash e Putinit?
Ka elementë që i shërbejnë Moskës (dorëzim territori, amnisti e përgjithshme), por disa pika nuk janë ideale as për Rusinë (heqja e sanksioneve me faza, marrëveshjet për NATO). Rusia ende s’e ka komentuar zyrtarisht. Drafti ka elementë që synojnë të balancojnë narrativat e të dy palëve.
BBC, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL
