Policia zbardh 3 grabitje në Fushë-Krujë, autori në kërkim

Policia ka zbardhur tre grabitje në Fushë-Krujë, shpall në kërkim autorin e dyshuar

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Ends”, është identifikuar autori i dyshuar për tre grabitje të kryera në Fushë-Krujë, shtetasi E. N. (Ll.), 30 vjeç, banues në Mamurras.

Hetimet paraprake dyshojnë se 30-vjeçari, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ka vjedhur një automjet taksi, pasi ka kanosur me armë zjarri drejtuesin e saj. Më pas, i dyshuari ka lëvizur me automjetin e vjedhur drejt qytetit të Laçit, ku në dy karburante, ka marrë nga punonjësit shuma parash dhe sende personale, duke i kanosur ata gjithashtu me armë zjarri.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për vjedhjet me armë, kanë organizuar veprimet hetimore për zbardhjen e tyre, identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i këtyre veprimeve, është zbardhur rasti dhe është identifikuar autori i dyshuar.

30-vjeçari, i cili rezulton të ketë precedentë kriminalë në disa fusha, shpallet në kërkim. Automjeti i vjedhur taksi është sekuestruar si provë materiale.

Po punohet për kapjen e 30-vjeçarit, për dokumentimin e këtyre rasteve dhe të vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top