**Titull:** Në 10 vite, Veriu i Shqipërisë humbet një të katërtën e popullsisë, kryeson Shkodra
Qarqet e Veriut të Shqipërisë po përjetojnë një tkurrje të konsiderueshme të popullsisë gjatë dekadës së fundit, e nxitur nga përshpejtimi i emigracionit jashtë vendit. Të dhënat më të fundit nga INSTAT tregojnë se në periudhën 2016-2026, Shkodra ka shënuar rënien më të theksuar në nivel kombëtar, duke humbur 25.58% të banorëve të saj, ose mbi 50 mijë persona.
Pas Shkodrës renditet Kukësi, me një humbje prej 24.78% të popullsisë gjatë kësaj dekade, kryesisht për shkak të emigracionit të të rinjve drejt Britanisë së Madhe. Lezha paraqet një situatë të ngjashme, me një tkurrje prej 24.11%, duke konfirmuar largimin masiv të banorëve nga rajoni bregdetar dhe fushor i veriut. Qarku i Dibrës gjithashtu ndodhet në të njëjtën linjë shqetësuese, me një rënie prej 22.49% të numrit të përgjithshëm të banorëve.
Të dhënat zyrtare theksojnë se katër qarqet kryesore të veriut po humbasin popullsi me një ritëm më të shpejtë se të tjerat. Në nivel kombëtar, popullsia e përgjithshme e Shqipërisë ka pësuar një tkurrje neto prej 14.23% ndërmjet viteve 2016 dhe 2026, duke u pakësuar me 387,462 banorë. Edhe qarqet e tjera të vendit janë prekur nga ky fenomen.
Për shembull, Fieri ka humbur 68,089 banorë gjatë dekadës së fundit, duke regjistruar një rënie prej 23.02%. Elbasani ka pësuar një rënie relative prej 21.06%, ndërsa në juglindje, Korça shënon një tkurrje prej 22.63% (afro 48 mijë banorë më pak). Popullsia e Gjirokastrës u tkurr me 21.86%, duke vështirësuar ruajtjen e shërbimeve bazë në një qark që, përveç tkurrjes, vuan edhe plakjen e shpejtë.
Vlora ka pësuar një rënie prej 18.46% (mbi 32 mijë banorë), ndërsa popullsia e Beratit u tkurr me 9.44%. Madje edhe Durrësi, një qendër e rëndësishme ekonomike, ka shënuar një tkurrje prej 12.08% (mbi 30 mijë banorë) gjatë kësaj dekade.
Qarku i Tiranës është i vetmi që ka shënuar një rritje modeste prej 1.25%, duke shtuar rreth 9,428 banorë të rinj si pasojë e emigracionit të brendshëm. Shqipëria po polarizohet shpejt rreth një qendre urbane të vetme, teksa Tirana zgjerohet lehtë, ndërkohë që të gjitha rajonet e tjera përballen me plakjen dhe tkurrjen e popullsisë.
Të dhënat e vitit 2026 tregojnë se balancat demografike kanë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme, por veriu i Shqipërisë mbetet rajoni më i prekur, ku braktisja po ndodh me ritmet më të shpejta dhe më shqetësuese.
