Portugalia ndalon burkën dhe nikabin në publik

Portugalia miraton projektligjin për ndalimin e mbulesave “Burka” dhe “Nikab”

Portugalia ka miratuar një projektligj që ndalon mbulesat e fytyrës me motiv “gjinore dhe fetare” në hapësirat publike. Ky veprim është konsideruar si shënjestrim ndaj fytyrave të mbuluara të grave të fesë islame.

Projektligji u propozua nga partia e ekstremit të djathtë, Chega, dhe mori mbështetjen e PSD-së së qendrës së djathtë. Ligjvënësit e krahut të majtë, përfshirë edhe disa parti të tjera, votuan kundër iniciativës.

Masa parashikon ndalimin e fshehjes së fytyrës dhe trupit në hapësirat publike nëpërmjet mbulesave të llojit burka dhe nikab. Gjithashtu, në nismën parlamentare theksohet se parandalohet detyrimi i dikujt për të fshehur fytyrën për arsye gjinore dhe fetare.

Përjashtime nga ky ligj përfshijnë rastet kur fshehja e fytyrës bëhet për arsye shëndetësore, profesionale ose artistike.

Ligji tani do të debatohet në komisionin parlamentar për Çështjet Kushtetuese, të Drejtat, Liritë dhe Garancitë. Megjithatë, presidenti Marcelo Rebelo de Sousa ende duhet ta miratojë projektligjin. Ai mund ta vërë veton ose ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Nëse miratohet, Portugalia do t’i bashkohet numrit të vendeve evropiane si Austria, Franca, Belgjika dhe Holanda, të cilat kanë ndalime të plota ose të pjesshme për mbulesat e fytyrës dhe të kokës.

Scroll to Top