POS detyrueshëm për bizneset, pagesa me kartë më të lehta

Ministrja e Ekonomisë: Çdo biznes do të detyrohet të pajiset me të paktën një terminal POS për pagesat me kartë

Çdo biznes do të jetë i detyruar të ketë të paktën një terminal POS (Point of Sale), për t’u ofruar klientëve të tij mundësinë e kryerjes së pagesave me kartë.

Gjatë Forumi Connect të Pagesave Digjitale, i organizuar në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se është përgatitur një plan konkret masash për reduktimin e përdorimit të parave të keshit. Ky plan do të diskutohet javën e ardhshme me sektorin bankar, aktorët e teknologjisë financiare (fintech), institucionet publike dhe të gjithë ata që përbëjnë zinxhirin e pagesave.

“Një nga masat konkrete që kemi parashikuar, si pjesë e paketës fiskale që do të prezantohet sot në parlament, është pikërisht detyrimi për tregtarët që të kenë të paktën një POS. Brenda vitit 2026, në mënyrë të shkallëzuar, të gjithë tregtarët do të jenë të detyruar të kenë të paktën një mjet elektronik pagese. Besojmë që ky është një hap i parë drejt punës së përbashkët që kemi për të arritur objektivat tanë, duke bërë që Shqipëria të reduktojë nivelin e përdorimit të keshit. Kjo do të ndikojë në uljen e informalitetit dhe gjithashtu në përmirësimin e performancës së inovacionit në vend”, tha Ibrahimaj.

Sipas Ibrahimajt, Shqipëria ka digjitalizuar pjesën më të madhe të shërbimeve publike, por është e nevojshme të digjitalizohen më tej edhe pagesat, me qëllim uljen e përdorimit të parasë fizike.

Scroll to Top